×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Siguri

    Kosovë–Shqipëri–Kroaci, Maqedonci paralajmëron zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje

    Reporteri
    03 Tetor 2026 | 8:11

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anušić, sot mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të industrisë së mbrojtjes “EU 4 Defence Readiness – Road Map to Future”, të mbajtur në Zarë të Kroacisë.

    Me këtë rast, ministri Maqedonci ishte folës në panelin “Siguria evropiane në mjedisin e ri gjeopolitik”.

    Në margjinat e konferencës, ministri Maqedonci dhe ministri Anušić riafirmuan përkushtimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, njofton Ministria e Mbrojtjes.

    Gjatë takimit, ata diskutuan edhe për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit trepalësh Kosovë–Shqipëri–Kroaci, me synimin që ky bashkëpunim të jetë i hapur edhe për vendet e tjera të rajonit që ndajnë vlerat dhe interesat e përbashkëta.

    Të dy ministrat u dakorduan për avancimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, trajnimet, shkëmbimin e informacionit, si dhe koordinimin për përballjen me kërcënimet hibride.

    Gjatë panelit, ministri Maqedonci theksoi kërcënimet që burojnë nga qasja hegjemoniste e Serbisë ndaj fqinjëve të saj, si dhe hapat që po ndërmerr Kosova për ndërtimin e një sistemi mbrojtës gjithëpërfshirës, me angazhimin e institucioneve dhe qytetarëve.

    Po ashtu, ai vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të industrisë së mbrojtjes.

    Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kontribuon në avancimin e sigurisë dhe të kapaciteteve mbrojtëse në rajon.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!