Një rast i rëndë i abuzimit seksual është zbuluar në një strukturë kujdesi në Korenë e Jugut, ku drejtori i institucionit është dënuar me 15 vite burg për përdhunimin e grave me aftësi të kufizuara që jetonin aty.

Çështja u bë publike pas denoncimit të një gruaje me aftësi të kufizuara, e cila tha se ishte abuzuar seksualisht nga drejtori pasi ishte vendosur në strukturën Saekdongwon në vitin 2016. Sipas dëshmisë së saj, abuzimet ndodhnin gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit.

Gruaja vendosi të fliste pasi pësoi një dëmtim në kokë. Fillimisht i tregoi nënës së saj dhe më pas iu drejtua policisë. Për shkak të aftësisë së kufizuar, ajo komunikon kryesisht përmes fjalive të shkurtra dhe gjesteve.

Reklamë

Hetimi çoi në identifikimin e dy viktimave të tjera, të cilat gjithashtu akuzuan ish-drejtorin për abuzim seksual. Gjykata i konsideroi të besueshme dëshmitë e të treja grave.

Megjithatë, të dhënat e hetimit sugjerojnë se numri i grave që mund të jenë abuzuar në strukturë mund të jetë deri në dhjetë.

Rasti ka rikthyer në vëmendje mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara në institucionet e kujdesit në Korenë e Jugut. Një hetim i kryer në 1 mijë e 507 struktura kujdesi në të gjithë vendin pas zbulimeve në Saekdongwon identifikoi 33 raste të dyshuara abuzimi, ndërsa tetë prej tyre janë aktualisht nën hetim.

Ekspertët dhe mbështetësit e viktimave theksojnë se gratë me aftësi të kufizuara përballen me rrezik të shtuar për shkak të ndërthurjes së faktorëve si gjinia, aftësia e kufizuar, institucionalizimi, varfëria dhe izolimi social.