Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë në Egje dhe për Qipron nuk duhet të përshkallëzohen ndërsa një përplasje mes dy vendeve anëtare të NATO është diçka që Shtetet e Bashkuara nuk mund ta lejojnë.
Kështu deklaron sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio në një intervistë për mediat greke, teksa thekson se një skenar i tillë nuk do të ishte në interesin e asnjërës palë, por as të Shteteve të Bashkuara.
“Janë dy aleatë të NATO-s. Për mua është e paimagjinueshme që diçka e tillë të ndodhë. Nuk do të ishte mirë për askënd dhe nuk besoj se do të ndodhë”, tha Rubio.
Një tjetër çështje e ndjeshme mbetet rikthimi i Turqisë në programin e avionëve luftarakë F35 për të cilën Rubio thotë se Ankaraja ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore amerikane.
Pengesa kryesore është sistemi rus i mbrojtjes ajrore S400 për të cilin Uashingtoni ka kërkuar zgjidhje përpara çdo transferimi të F35.
“Ligjërisht ne nuk mund ta bëjmë transferimin derisa çështja e S-400 të zgjidhet. Deri tani, ajo nuk është zgjidhur”, tha Rubio.
I pyetur edhe për luftën Rusi- Ukrainë, sekretari amerikan i shtetit tha se aktualisht nuk ka në horizont një zgjidhje diplomatike të pranueshme për të dyja palët.