Disa protestues janë shoqëruar në polici pas përplasjeve të regjistruara gjatë protestës së mbajtur këtë të martë para Ministrisë së Arsimit në Shqipëri.
Sipas raportimeve të Euronews Albania, gjatë protestës policia ka ndërhyrë me forcë për të shoqëruar disa nga protestuesit më aktivë drejt komisariateve, pas tensioneve dhe përplasjeve fizike.
Situata është përshkallëzuar pasi protestuesit kanë hedhur gurë, kapsolla dhe sende të tjera në drejtim të godinës së ministrisë, ndërsa disa kanë shkulur kangjellat dhe pllakat e trotuarit, duke i përdorur gjatë sulmit ndaj ndërtesës.
Për shpërndarjen e protestuesve, policia ka përdorur autobotin me ujë dhe gaz lotsjellës. Sipas të njëjtit medium, disa efektivë policie kanë pësuar djegie në sy dhe janë transportuar me ambulancë.
Pas shpërndarjes, një pjesë e protestuesve janë rikthyer para ministrisë, ku kanë hedhur sërish gurë dhe kapsolla në drejtim të policisë.
Deri në raportimet e fundit, nuk është bërë i ditur numri i saktë i personave të shoqëruar në polici. Ndërkohë, ekspertët e kriminalistikës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të mbledhur prova.
Protesta, e cila nisi rreth orës 14:00, është organizuar për të kundërshtuar problematikat që prekin të rinjtë në arsim.