Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet N.A., i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje ryshfeti dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, në një rast që lidhet me informata zyrtare për prona me vlerë të madhe.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi është bërë pas disa muajsh hetime, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
“Personi dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer veprat penale: ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Marrja e ryshfetit’, si dhe ‘Zbulimi i fshehtësisë zyrtare’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, dyshohet se persona të paautorizuar kanë marrë informata zyrtare lidhur me prona të caktuara, në këmbim të ryshfetit.
“Këto veprime dyshohen se janë kryer me qëllim të tjetërsimit të pronave, vlera e të cilave dyshohet të jetë shumë e madhe”, thuhet në njoftim.
Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë.
Prokuroria ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë dhe institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.