Po vijon me tensione protesta studentore në Tiranë, e cila ka nisur që prej mëngjesit me bojkotimin e mësimit në universitete dhe në disa gjimnaze.

Ndërkohë, tensione janë shënuar në Rrugën e Durrësit, ku disa të rinj po tentojnë të thyejnë xhamat e një banke.

Sipas pamjeve, protestuesit, me mjete rrethanore dhe shkelma, tentojnë të thyejnë xhamat dhe derën e bankës. Disa prej tyre shfaqen edhe të maskuar.

Reklamë

Studentët e disa universiteteve në Tiranë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë, një ditë pas protestës së shoqëruar me tensione dhe përplasje me Policinë. Protesta ka nisur në orën 14:00, ndërsa lëvizjes pritet t’i bashkohen edhe studentë nga Elbasani dhe Durrësi.

Studentë të Universitetit të Mjekësisë, Fakultetit Ekonomik, Fakultetit të Drejtësisë dhe Universitetit Politeknik kanë lënë auditorët dhe kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit.

Gjatë lëvizjes, disa akse rrugore që lidhen me Rrugën Bardhyl janë bllokuar, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në kryeqytet.

Ndërkohë, në rrjetet sociale janë publikuar thirrje të shumta për pjesëmarrje në protestën e sotme. Organizatorët dhe mbështetësit e lëvizjes u bëjnë thirrje qytetarëve dhe studentëve të bashkohen sërish në Rrugën e Durrësit, pas zhvillimeve të tensionuara të një dite më parë.

Reklamë

Pjesë e lëvizjes janë bërë edhe nxënësit e gjimnazit “Partizani” në Tiranë, të cilët kanë bojkotuar mësimin. Sipas raportimeve, disa prej tyre kanë bllokuar përkohësisht rrugën pranë shkollës me kosha mbeturinash, të cilëve u kanë vënë flakën.

16 të arrestuar pas protestës së 13 tetorit

Në një njoftim për ngjarjet e së martës, Policia bëri të ditur se ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht 49 të tjerë, pas protestës së zhvilluar para Ministrisë së Arsimit.

Sipas Policisë, gjatë tubimit janë hedhur gurë, sende të forta, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të punonjësve të rendit dhe institucioneve. Si pasojë, janë dëmtuar ambientet e Ministrisë së Arsimit, ndërsa në Rrugën “Ded Gjon Luli” është thyer një derë e godinës së Bashkisë së Tiranës dhe i është vënë flaka katit të parë.

Reklamë

Policia njofton gjithashtu se gjashtë punonjës të saj kanë mbetur të dëmtuar gjatë përplasjeve. Dëme janë raportuar edhe në subjekte private, përfshirë një institucion mikrofinanciar dhe një bankë të nivelit të dytë.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës për dokumentimin e ngjarjeve dhe identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në aktet e dhunës.