Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar padi civile ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, duke i kërkuar që brenda shtatë ditësh t’i tërheqë akuzat që Rama i cilëson të pabazuara, t’i përgënjeshtrojë publikisht dhe të kërkojë falje.
Në një postim në Facebook, Rama ka kritikuar deklaratat e Azemit, duke thënë se një deputet nuk mund të flasë në emër të drejtësisë dhe të paralajmërojë arrestime e dënime.
“Kur një deputet kërcënon publikisht me arrestime e dënime, duke folur me siguri në emër të drejtësisë, atëherë kemi problem serioz. As Egzon Azemi, as Vetëvendosje dhe asnjë parti politike nuk janë prokurori, gjykatë apo organ i drejtësisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Rama.
Ai ka bërë të ditur se Azemit ia ka dërguar një shkresë, përmes së cilës i ka kërkuar të tërheqë akuzat për kryerje të veprave penale dhe të kërkojë falje publikisht.
Rama ka paralajmëruar se, nëse kërkesat e tij nuk përmbushen brenda afatit prej shtatë ditësh, do të ngrejë padi civile për shpifje dhe kompensim të dëmit jomaterial.
“Unë nuk i frikësohem asnjë hetimi dhe asnjë procesi ligjor. Por nuk do të lejoj që propaganda, shpifja dhe linçimi publik të shndërrohen në instrumente të luftës politike”, ka shkruar ai.
Rama ka theksuar se drejtësia nuk është pronë e asnjë partie politike dhe se mandati i deputetit nuk përbën licencë për shpifje.