Këngëtarja e famshme Celine Dion ka kukullën e saj Barbie, të krijuar nga kompania Mattel dhe të frymëzuar nga një prej momenteve më të veçanta të karrierës së saj.

Kukulla mban gjerdanin ikonik “Heart of the Ocean” (Zemra e Oqeanit), të lidhur me filmin “Titanic”, si dhe një fustan të gjatë blu dhe flokët e kapur në stilin kaçurrel, duke rikrijuar pamjen që këngëtarja kishte në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar në vitin 1998.

“Është një nder i vërtetë të bëhem pjesë e historisë së Barbie-t përmes një kukulle të frymëzuar nga një prej momenteve më domethënëse të karrierës sime”, u shpreh Celine Dion.

Reklamë

Ajo shpreson që kukulla e re të frymëzojë njerëzit të shprehin veten me besim, të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të besojnë te fuqia e zërit të tyre.

Krijimi i ri i Mattel ndërthur ikonën e muzikës me një nga pamjet më të paharrueshme të lidhura me “Titanic”, filmin që e bëri edhe më të pavdekshme këngën e saj “My Heart Will Go On”.