Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, i është përgjigjur kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me shqetësimet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke siguruar se Kosova do ta realizojë këtë ngjarje sportive.
Përmes një reagimi në Facebook, Gashani tha se institucionet po vazhdojnë punën në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) dhe partnerët e tjerë, me synimin që organizimi të bëhet sipas standardeve dhe afateve të përcaktuara.
“Dua të ritheksoj se përkushtimi ynë për organizimin dhe realizimin me sukses të këtij eventi madhor sportiv mbetet i plotë dhe i palëkundur. Ne po vazhdojmë punën me përgjegjësi, seriozitet dhe dedikim, në bashkëpunim me ICMG-në, por edhe të gjithë partnerët dhe institucionet përkatëse, për të siguruar që çdo punë, çdo proces dhe çdo obligim që lidhet me organizimin e Lojërave Mesdhetare të realizohet në përputhje me standardet dhe afatet e përcaktuara”, shkroi Gashani.
Ai pranoi se ka vështirësi dhe probleme në këtë proces, por tha se ato po trajtohen me kujdes dhe vendosmëri, “pa zhurmë, pa britma, pa ankesa”.
Ministri e kritikoi reagimin e Ramës, duke e cilësuar si “ngritje e alarmeve e disfatizmit”, që sipas tij është “jo vetëm i rrezikshëm, por edhe i pavend e i pabazë”.
Gashani tha se Qeveria ka qenë që nga fillimi dhe do të vazhdojë të jetë garantuese e organizimit të Lojërave Mesdhetare.
“Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030! Kosova do të organizojë e do të shkëlqejë në Lojërat Mesdhetare 2030, në organizim të tyre dhe në sukseset e garuesve tanë në arenat sportive!”, shkroi ai.
Gashani e cilësoi reagimin e kryetarit të Prishtinës si të bërë “në stilin e fëmijës së pakënaqur e qaraman”. Ai shtoi se korrespondenca e publikuar nga Rama nuk e pasqyron tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale.
Sipas ministrit, Rama nuk e ka përmendur faktin se letra për trajtimin e çështjeve dhe shqetësimeve mes institucioneve partnere i është drejtuar edhe atij, e jo vetëm drejtuesve të tjerë institucionalë.
Çfarë tha Përparim Rama?
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon t’i humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, pasi, sipas tij, institucionet nuk kanë dhënë përgjigjet e nevojshme për organizimin e këtij eventi.
Në një postim në Facebook, Rama ka bërë të ditur se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka konfirmuar mungesën e përgjigjeve institucionale dhe se më 19 dhjetor do të shqyrtohet situata.
Sipas Ramës, pas këtij shqyrtimi do të procedohet me thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e Lojërave Mesdhetare.
“Ajo që kemi paralajmëruar vazhdimisht, sot po konfirmohet zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG)!”, ka shkruar Rama.
Ai ka rikujtuar se Prishtina i ka fituar Lojërat Mesdhetare 2030 dhe se institucionet e kryeqytetit kanë punuar në masterplan, kanë përcaktuar projektet dhe lokacionet, si dhe i kanë votuar ato në Asamblenë e Kryeqytetit.
Megjithatë, Rama ka kritikuar Qeverinë qendrore dhe Komitetin Organizativ, të cilin, sipas tij, e udhëheq kryeministri Albin Kurti.
“Tash, kur është radha e Qeverisë qendrore dhe Komitetit Organizativ, në krye të të cilit Albin Kurti e ka vendosur vetveten, si asnjë shtet tjetër, Kosova po rrezikon ta humbasë këtë mundësi historike!”, ka deklaruar ai.
Rama e ka cilësuar rrezikun e humbjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare si humbje të madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj.