Këngëtarja shqiptare Elvana Gjata ka reaguar lidhur me protestat dhe përplasjet e dhunshme në Shqipëri, duke bërë thirrje për dialog, dëgjimin e zërit të të rinjve dhe shmangien e dhunës.
Përmes një reagimi, ajo shprehu dhimbjen për situatën në vend, duke thënë se e dëshpëron të shohë Shqipërinë të përfshihet sërish nga dhuna dhe shkatërrimet.
“Më dëshpëron të shoh vendin tim të digjet. Sërish! Më dhemb në shpirt kur shoh një të ri që dhunohet, një polic që dhunohet, një shqiptar që ngre dorën kundër një shqiptari tjetër”, shkroi Gjata.
Ajo ngriti pikëpyetje për pamundësinë e shprehjes së pakënaqësisë pa përdorur dhunën, duke kërkuar që të rinjtë të kenë mundësi ta shprehin zemërimin e tyre përmes fjalës dhe protestës paqësore.
“A është vërtet kaq e pamundur të gjejmë fjalët e duhura në gjuhën tonë të dashur shqipe për të shprehur zemërimin pa dhunë?! A është kaq e pamundur që politika, qeveria, udhëheqësit e këtij vendi të dëgjojnë zërin e këtyre të rinjve?”, theksoi këngëtarja.
Gjata u bëri thirrje përfaqësuesve politikë që t’i dëgjojnë të rinjtë pa paragjykime dhe kushte, si dhe të angazhohen për një dialog të sinqertë.
“Mos e shkatërroni këtë vend! Jemi shumë të brishtë për të mbajtur edhe plagët që ia shkaktojmë vetes!”, shkroi ajo.
Në fund të reagimit, këngëtarja mbështeti të drejtën për protestë qytetare, por kundërshtoi shkatërrimin e pronës dhe dhunën.
“PROTESTO! ULËRIT! FRYMËZO! BASHKOHU NË PROTESTË QYTETARE! Por. MOS SHKATËRRO! MOS DIGJ! MOS DHUNO!”, apeloi Gjata.
Ajo përfundoi mesazhin duke theksuar se vendi u përket të gjithëve, edhe atyre që nuk pajtohen me njëri-tjetrin, ndërsa nënvizoi se të rinjtë meritojnë një të ardhme më të mirë.
“Rinia është e ardhmja dhe meriton të ardhmen e artë!”, përfundoi këngëtarja.
