Komuna e Malishevës e cila drejtohet nga Ekrem Kastrati nga subjekti politik NISMA ka vendosur një varg kriteresh të pazakonta dhe shumë specifike në tenderin me vlerë të parashikuar prej 5,949,546.69 eurosh, për ndërtimin e rrugëve, kanalizimeve dhe rregullimin e lumenjve, duke ngritur dyshime se kërkesat mund të jenë përshtatur thuajse në tërsi, raporton “Front Online“, që ka analizuar dosjen.

Në dosjen e tenderit të publikuar më 8 tetor 2026, me numër prokurimi 625-26-8698-5-1-1 me titull “Ndërtimi i rrugëve, kanalizimeve në qytetin e Malishevës dhe ndërtimi, pastrimi i lumenjeve nga ura e tranzitit e deri tek liqeni Mirusha në Malishevë”, analiza e mediumit ka identifikuar shumë kritere që kërkojnë jo vetëm përvojë në punë ndërtimore, por edhe kualifikime të rralla profesionale, licenca të veçanta dhe kontrata të mëparshme me karakteristika të përcaktuara deri në diametrin dhe thellësinë e kanalizimeve e që në mënyrë automatike kufiuzojnë pjesëmarrjen e kompanive në këtë proces i cili dyshohet se është i kurdisur në tersi.

Kriteri i parë: Kanalizim mbi 1,000 metra, gypa 800 mm dhe thellësi mbi pesë metra

Reklamë

Një nga kriteret më specifike është vendosur te përvoja e mëparshme profesionale. Komuna kërkon kontrata të përfunduara në infrastrukturë në vlerë minimale prej 5.8 milionë eurosh, duke përcaktuar edhe kërkesat për kanalizim: “Kanalizimi të jetë mbi 1000m me gypa 800mm, thellësia mbi 5m. Vlera minimum 4,400,000.00€”, thuhet në dosje.

Por, përcaktimi i njëkohshëm i gjatësisë, diametrit të gypave, thellësisë së punimeve dhe vlerës financiare ngre dyshime se kriteri mund të përjashtojë kompani me përvojë të konsiderueshme në kanalizime, të cilat nuk kanë realizuar pikërisht projekte me këto karakteristika.

Kriteri i dytë: Inxhinier ndërtimtar me diplomë ndërkombëtare të saldimit

Një tjetër kriter që ngre dyshime është kërkesa për një inxhinier të diplomuar të ndërtimtarisë, drejtimi konstruktiv, i cili duhet të ketë edhe diplomën IWS – International Welding Specialist. Përveç përvojës pesëvjeçare, kërkohet që ky profesionist të ketë realizuar së paku një projekt në fushën e saldimeve.

Ky kombinim i kualifikimeve krijon një profil të ngushtë profesional që nuk përputhet drejtpërdrejt me përshkrimin e përgjithshëm të kontratës për ndërtim rrugësh, kanalizimesh dhe punime në lumenj. Dosja nuk sqaron në këtë pjesë se cilat punime kërkojnë domosdoshmërisht diplomën ndërkombëtare IËS dhe përse ky specializim duhet të jetë kusht për pjesëmarrje.

Reklamë

Kriteri i tretë: Master i emergjencave me dy certifikime institucionale

Komuna kërkon edhe një profesionist me gradën master në menaxhimin e emergjencave, me së paku pesë vjet përvojë pas diplomimit. Por, diploma dhe përvoja nuk mjaftojnë. Personi duhet të jetë njëkohësisht i certifikuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ky kombinim specifik i diplomës, përvojës dhe dy certifikimeve mund të kufizojë konkurrencën, nëse operatorëve nuk u lejohet të dëshmojnë aftësinë për menaxhimin e sigurisë përmes ekspertëve me kualifikime të barasvlershme.

Kriteri i katërt: Kompania duhet të jetë edhe gurëthyese

Reklamë

Në pikën 9 të kapacitetit teknik dhe profesional, Komuna ka vendosur këtë kërkesë: “OE duhet te jete i licencuar si gurëthyes për zhavor.” Si dëshmi kërkohet licenca për aktivitete të veçanta e lëshuar nga institucioni kompetent për miniera dhe minerale. Kjo kërkesë mund t’i vendosë në pozitë të pafavorshme kompanitë që ndërtojnë rrugë dhe kanalizime, por që materialin e sigurojnë përmes furnizuesve të licencuar.

Veçanërisht diskutues është fakti se për prodhimin e asfaltit dhe betonit, në pikën pasuese, Komuna lejon marrëveshje furnizimi me operatorë të licencuar, ndërsa nuk e përcakton shprehimisht këtë mundësi për zhavorrin. Kjo ngre pyetjen përse furnizimi nga një gurëthyes i licencuar nuk trajtohet në të njëjtën mënyrë.

Kriteri i pestë: Kontratë e përfunduar për lumenj, minimum 1.4 milion euro

Krahas përvojës në kanalizime, Komuna kërkon që operatori ekonomik të ketë realizuar së paku një kontratë për rregullimin e shtratit dhe pastrimin e lumenjve, me vlerë minimale prej 1,400,000 eurosh.

Reklamë

Kjo kërkesë, e kombinuar me parametrat e kanalizimit prej 4.4 milionë eurosh, krijon një pengesë të konsiderueshme për kompanitë që kanë realizuar projekte të ngjashme, por jo domosdoshmërisht me këtë ndarje të saktë të përvojës.

Projekti nuk është ngarkuar në platformën elektronike

Një tjetër element që meriton vëmendje lidhet me qasjen në dokumentacionin teknik. Në Aneksin 1 të dosjes thuhet se për shkak të vëllimit të madh të projektit, ai nuk mund të ngarkohet në platformën e prokurimit elektronik.

Kompanitë e interesuara udhëzohen që projektin ta marrin në CD, në Zyrën e Prokurimit të Komunës së Malishevës.

Reklamë