Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kujtuar Astrit Deharin në 3-vjetorin e vdekjes së tij në burgun e Prizrenit.
Ahmeti ka kujtuar se si Astriti derisa punonte në Komunën e Prishtinës, kur takonte ndonjë qytetar në hall nga gjendja e rëndë ekonomike, i shkonte në zyre dhe ia fliste për këtë dhe mundësinë për ta ndihmuar, shkruan Reporteri.net.
Postimi i Ahmetit:
Astrit Dehari ishte aktivist politik, aktivist i LVV, student shembullor dhe për një kohë edhe punëtor shembullor në Komunën e Prishtinës.
Përveç temave të drejtorisë së shëndetësisë, vinte te unë në zyre gjithmonë kur kishte takuar ndonjë qytetar në hall nga gjendja ekonomiko-sociale dhe mendonte se duhet ti ndihmojmë. E shihte si qëllim jetësor ndihmën për njerëzit në nevojë.
Vdekja e tij në burgun e Prizrenit ku ishte dërguar dhe mbajtur padrejtësisht mbetet e pasqaruar. Dhe kjo është barrë jo vetëm për pushtetin e atëhershëm politik e administrativ, por barrë për secilin qytetar të Republikës. Barra dhe përgjegjësia vecse do të shtohen deri të zbulohen krejt rrethanat dhe krejt përgjegjësit e asaj çfarë ka ndodhur.
Por, sot, në tre vjetorin e vdekjes së hershme të Astritit, ta kujtojmë Astritin për njeriun që ishte, modest, punëtor, zë i butë për miqtë, e zë i fortë për drejtësi e barazi.
Shpirti ndjesë i past!
#drejtesiperastritin