Sulmi ndaj Komisariatit nr. 3, mbrëmjen e djeshme gjatë protestave në Tiranë, ka kaluar vijën e kuqe, sipas ministrit të Brendshëm, Ervin Demo. Ai deklaroi se, pas këtyre zhvillimeve, protesta nuk mund të konsiderohet më si protestë studentore.

Në një konferencë për mediat, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Demo bëri të ditur se gjatë gjashtë ditëve të fundit janë regjistruar 295 persona të lënduar, prej të cilëve 186 janë punonjës të Policisë së Shtetit.

“Natën e fundit ka ndodhur diçka që e ka kaluar vijën e kuqe. Dje është sulmuar Komisariati nr. 3. Nuk është sulmuar vetëm godina, por janë dëmtuar edhe punonjësit që ndodheshin aty, disa prej tyre deri me djegie. Kjo është e papranueshme dhe tregon se elementët e dhunshëm të përfshirë në këtë protestë kanë arritur në nivele që dëshmojnë se kjo nuk është më protestë studentore dhe nuk mund të quhet më protestë”, deklaroi Demo.

Reklamë

Ministri i Brendshëm përmendi gjithashtu sulmet ndaj subjekteve politike, duke pretenduar se elementë të dhunshëm të protestës kanë gjetur strehim politik në një parti të caktuar. Sipas tij, kjo situatë tregon praninë e elementëve të dhunshëm brenda kësaj lëvizjeje.

“Janë 295 të lënduar në këto gjashtë ditët e fundit, 186 punonjës policie. Janë 295 shqiptarë që kanë pësuar dëmtime jo të lehta: policë, protestues, kalimtarë dhe gazetarë. Ky numër tregon atë që ka bërë policia me profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e saj”, u shpreh ministri Demo.