Këtë të martë, studentët e Universitetit të Korçës kanë zhvilluar një takim për të diskutuar për përfshirjen ose jo në protestat që kanë nisur prej pesë ditësh në qytet, kryesisht me nxënës të gjimnazeve, por edhe qytetarë.

Pas një ore e gjysmë diskutimesh, mendimet e studentëve kanë qenë të ndryshme dhe nuk kanë dalë me një vendimmarrje konkrete.

Burime të siguruara pranë Këshillit Studentor thanë se ka pasur studentë që kanë kërkuar bojkot të mësimit, të tjerë kanë kërkuar përfshirjen në protesta pas procesit mësimor, ndërsa ka pasur edhe studentë që kanë qenë kundër bojkotit dhe pjesëmarrjes në protestë, shkruan EuroNews.

Reklamë

Studentët dhe anëtarët e Këshillit Studentor nuk kanë pranuar të prononcohen për gazetarët. Të njëjtat burime thanë se Këshilli Studentor do të kontaktojë edhe me studentë të tjerë që nuk ishin të pranishëm, për të marrë më pas një vendim përfundimtar.

Ndërkaq në Tiranë protestuesit janë mbledhur sërish sot, në ditën e tetë të rezistencës. Ata kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe përmirësimin e kushteve në shkolla. Në mbështetje të studentëve kanë dalë edhe disa pedagogë, të cilët janë tubuar para Universitetit Politeknik në Tiranë.

Gjatë shtatë ditëve të para, protestat janë shoqëruar me përplasje, dhunë dhe dëmtime të pronës publike e private. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shteti nuk do të dorëzohet përballë “valës së dhunës”.