Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, i ka dalë në mbrojtje deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, lidhur me debatet për Ligjin për Gjykatën Speciale.

Përmes një komenti në postimin e Grudës, Behramaj ka thënë se deputeti po përballet me kritika dhe akuza të ndryshme lidhur me këtë çështje, duke e cilësuar pozitën në të cilën është vendosur si të padrejtë.

Ai i ka bërë thirrje deputetit të PDK-së që të mos ndikohet nga këto reagime dhe të ndihet krenar për qëndrimin e tij.

Reklamë

“Përparim Gruda, po më vjen keq që për arsyen se ne i dimë, po duhet t’i tolerojmë intrigat dhe konspiracionet që po ‘ziejnë’ rreth ligjit. Je vendosur padrejtësisht në këtë pozitë dhe të ka rënë hise të durosh lloj-lloj pallavrash. Por, mbaje kokën lart dhe ndjehu krenar!”, ka shkruar Behramaj.

Në fund të reagimit, ai i ka dhënë mbështetje Grudës që aludohet për një garë të mundshme të tij për kryetar të PDK-së, pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga kjo pozitë.

“Edhe bëhu gati për garë!”, ka përfunduar Behramaj në komentin e tij në statusin e Grudës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në një reagim ka insistuar se Ligji për Specialen i iniciuar nga partia e tij nuk ka asnjë gabim. A potencoi se nuk tërhiqet nga bindja e tij, e nuk distancohet nga puna dhe qëllimi për të cilin ky ligj u hartua.

Reklamë

“Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet. Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji“, shkroi Gruda në Facebook.

Reagimi i Grudës erdhi pak pasi Presidentja Shiroka Pula ia ka kthyer Kuvendit të Kosovës ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale. Krejt kjo me kërkesë të vetë PDK-së, e cila edhe e kishte iniciuar këtë ligj.

“Gjatë ditës së sotme, Presidentja ka pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë e rishqyrtimit të tij, veçanërisht të dispozitave që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave“, ka njoftuar Presidenca.

Reklamë

Paraprakisht, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka njoftuar se përmes një letre zyrtare, i ka kërkuar Presidentes Shiroka-Pula, rikthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Pas konsultimeve të gjera, PDK-ja vlerëson se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara“, u tha në komunikatën e PDK-së.

Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor 2026 me 88 vota pro në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës.