Me gjashtë vota për, tri kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka miratuar raportin përfundimtar me amendamentet për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli, ka bërë të ditur se raporti ka kaluar me gjashtë vota për dhe tri kundër, pa asnjë abstenim.

“Konstatoj që raporti përfundimtar me amendamentet për Projektligjin nr. 11/L-006 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me gjashtë vota për dhe tri kundër, pa asnjë abstenim, kalon”, tha kryetari Qorrolli.

Reklamë

Komisioni nuk e ka miratuar amendamentin e propozuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda.

Gjatë shqyrtimit të projektligjit, deputetët kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me disa nga dispozitat e tij, përfshirë mënyrën e zgjedhjes së drejtorit të Byrosë, kriteret për gjyqtarët që do të trajtojnë rastet, përvojën profesionale të anëtarëve të Byrosë dhe pragun financiar për nisjen e verifikimit të pasurisë.

Kica-Xhelili kritikon disa dispozita të projektligjit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka ngritur shqetësime për disa dispozita të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ajo ka kritikuar faktin se drejtori i Byrosë vazhdon të zgjidhet me shumicë të thjeshtë të deputetëve që marrin pjesë në votim, duke theksuar se, në rastin kur në sallë janë 61 deputetë, do të mjaftonin 31 vota për zgjedhjen e tij.

Kica-Xhelili ka vënë në pikëpyetje edhe mungesën e kërkesës për specializim të gjyqtarëve të shkallës së dytë, të cilët do të shqyrtojnë vendimet e shkallës së parë dhe do të vlerësojnë bazueshmërinë e kërkesave për verifikimin e pasurisë.

Reklamë

Një tjetër çështje që ajo e ka ngritur është përvoja profesionale e anëtarëve të Byrosë. Sipas saj, fillimisht ishte diskutuar që përvoja e kërkuar të ishte së paku shtatë vjet, por më pas ishte përmendur mundësia që ky kriter të kthehej në pesë vjet.

“Çështja e parë është çështja e drejtorit, përzgjedhjes së drejtorit të byrosë, dhe nuk ka ndryshuar mënyra e votimit të drejtorit. Drejtori vazhdon të zgjidhet me shumicën e thjeshtë të deputetëve që vetëm marrin pjesë në votim. Kjo nënkupton që me 61 deputetë prezent, do të mjaftojnë 31 vota që të zgjidhet drejtori i byrosë. Çështja e dytë është që, pavarësisht që kërkohet specializimi i gjyqtarëve të shkallës së parë, shkalla e dytë, pra e apelit që duhet të vërtetojë bazueshmërinë ose jo të kërkesës së shkallës së parë, nuk kërkohet specializimi edhe i atyre. Pra, shkalla e dytë, e cila duhet ta rrëzojë ose jo vendimin e shkallës së parë, për të njëjtën nuk kërkohet specializimi për çështjen e byrosë, sikurse kërkohet për gjyqtarët e shkallës së parë. Çështja tjetër është që ne insistuam që përvoja e punës së personave që do të zgjidhen anëtarë të byrosë të jetë së paku 7 vite pune profesionale. Ministria tha që do ta shqyrtonte dhe të mërkurën u dakorduam që do të ishte 7, por sot në anën tjetër na u tha që mendojmë ta rikthejmë në 5 vite. Unë sot nuk i kam përfaqësuesit e ministrisë, por do të ishte skandaloze që të konsiderohej që është shumë përvojë pune profesionale 5 vite për anëtarë të byrosë”, ka deklaruar Kica-Xhelili.

Ajo ka kundërshtuar edhe mbajtjen e pragut prej 25 mijë eurosh për inicimin e verifikimit të pasurisë, duke argumentuar se projektligji parasheh shqyrtimin e pasurisë së krijuar përgjatë 18 vjetëve të kaluara.

“Pragu vazhdon me mbete 25 mijë euro, ndërkaq, po flasim për verifikimin e pasurisë së 18 viteve të kaluara”, tha ajo.

Reklamë

Sipas Kica-Xhelilit, ky prag mund të bëhet edhe më problematik në të ardhmen, pasi periudha e verifikimit nis nga viti 2008.

Qorrolli: Nuk është neglizhuar asnjë vërejtje

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, ka thënë se gjatë shqyrtimit të projektligjit janë trajtuar vërejtjet dhe propozimet e deputetëve, Gjykatës Supreme dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Ai ka theksuar se komisioni i ka shqyrtuar nenet e projektligjit dhe se janë marrë parasysh edhe amendamentet e propozuara nga shoqëria civile.

Qorrolli ka shpjeguar se grupi punues nuk ka arritur ta përfundojë shqyrtimin e të gjitha dispozitave brenda orarit të planifikuar të punës të së mërkurës, prandaj puna ka vazhduar edhe në ditën e sotme.

Reklamë

“E para, punës është që ky kusht i domosdoshëm është afati mes dy leximeve që është i përmbushur dhe është 15-ditëshi për të cilin e ka kaluar, dhe ne kemi ftuar vijimësisht dhe me një lloj kolegialiteti. Planifikimi ka qenë për ditën e mërkurë që të kryhet i gjithë drafti, dhe në këtë rast edhe grupi punues ta përfundojë punën në ditën e parë. Nuk kemi arritur deri në përfundim të orarit të punës, dhe e kemi planifikuar që sot ta vazhdojmë pjesën e mbetur. Kemi kryer edhe pjesën e parë të paradites, dhe besoj që vërejtjet cilat janë dhënë janë të gjitha të adresuara. Një pjesë e tyre, qoftë nga propozuesi në këtë rast i amandamenteve, deputeti i Partisë Demokratike, por edhe përfaqësuesit e Gjykatës Supreme, në këtë rast edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, janë trajtuar një për një dhe presje për presje. Dhe ky është serioziteti më i madh i mundshëm që janë trajtuar. Nuk janë neglizhuar asnjë koment, nuk janë neglizhuar asnjë vërejtje, asnjë sugjerim, dhe asnjë amandament”, ka thënë Qorrolli.

Ai ka sqaruar gjithashtu dallimin ndërmjet konfiskimit civil dhe procedurës penale, duke thënë se të dhënat e përdorura në procedurën civile të konfiskimit nuk mund të përdoren në procedurën penale.

“Të dhënat të cilat përdoren në konfiskim civil nuk mund të përdoren në procedurë penale”, ka deklaruar Qorrolli, duke iu referuar trajtimit të kësaj çështjeje nga Komisioni i Venecias.

Sipas tij, organet kompetente mund të nisin hetime të pavarura sipas detyrës zyrtare, nëse vlerësojnë se ekzistojnë rrethana që e arsyetojnë një gjë të tillë.

Reklamë

Tahiri kundërshton verifikimin e pasurisë së ish-zyrtarëve

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kundërshtuar mundësinë e verifikimit të pasurisë së ish-zyrtarëve publikë edhe pasi ata të kenë përfunduar mandatet e tyre.

Ai ka argumentuar se, pas përfundimit të funksionit publik, ish-zyrtarët duhet të trajtohen si persona privatë dhe se vazhdimi i verifikimit të pasurisë së tyre mund të cenojë të drejtat e tyre.

Tahiri ka ngritur shqetësimin se ish-zyrtarët mund t’i nënshtrohen hetimeve lidhur me aktivitetet e tyre edhe disa vjet pasi të mos jenë më pjesë e institucioneve publike.

“E para, në qoftë se një zyrtar i lartë publik, me, po marrë shembull, ju, ose që po marrë shembull veten, nuk jam më deputet, edhe unë do të thotë e gjej një punë tjetër. Kushdo cili do hetues mundet të marrë me të hetu ty, a mua, domethënë në 5 vjet se çka je tu punu, çka je tu bo, ku je tu funksionu, si person privat. Unë në momentin kur e hedh petkun e zyrtarit publik shtetëror, unë apo ju, apo cili don, cili vend ne botë, në momentin qe ai me që nuk është zyrtar i lartë publik, ai është person fizik privat, edhe ushtron funksionin e vet. A don me shku në fusha me mbjell speca, apo don me shku me punu dika jashtë, është detyra e tij. E tash, byroja ka me shku, domethënë me i bo hetim, se dikush po e lajmëron, për çfarë arsye? Domethënë kjo është persekutim, kjo nuk është hetim”, ka thënë Tahiri.

Rrustemi: Projektligji më i diskutuar që nga shpallja e pavarësisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, e ka cilësuar Projektligjin për Byronë si njërin prej projektligjeve më të diskutuara dhe më të shqyrtuara që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se projektligji është trajtuar në disa legjislatura, është votuar në dy lexime dhe është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.

Sipas Rrustemit, projektligji është diskutuar në disa nivele institucionale dhe ka marrë mbështetje edhe nga deputetë të partive të tjera në fazat e mëparshme të shqyrtimit.

“Është projektligji më i diskutuar dhe më i shqyrtuar në cilindo forum dhe në cilindo nivel prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nuk e di që, dhe mbase ka, por kam të drejtë me supozu që nuk ka ndonjë projektligj që në 3 legjislatura është shqyrtu në 2 lexime, madje është votuar 2 herë në 2 lexime, është trajtuar 2 herë nga Gjykata Kushtetuese, është trajtuar 3 herë nga Komisioni i Venecias, dhe po e diskutojmë sërish. Në disa prej këtyre niveleve, është përkrahur edhe nga vetë ju. Dmth, është votuar edhe nga vetë ju, dhe ky projektligj nuk është që sot ka ndryshime të atilla me rast simbolike, që e bën të ndryshëm me atë çfarë është votuar, le të themi, para 1 viti ose për herë të parë kur është votuar nga LDK”, ka deklaruar Rrustemi.