Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë mandatit aktual, duke theksuar se forcimi dhe zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) mbetet një nga prioritetet kryesore.

Këto deklarata Kurti i bëri të premten, në ceremoninë e betimit të rekrutëve të gjeneratës 02/2026 të FSK-së, ku betimin e dhanë 515 ushtarë të rinj. Kryeministri e cilësoi këtë si gjeneratën më të madhe të ushtarëve që ka pasur ndonjëherë Kosova.

“Sot, këtu në kazermën ‘Adem Jashari’, në një vend ku emri i kryekomandantit simbolizon qëndresën shqiptare dhe sakrificën për liri, jemi mbledhur për të shënuar një ditë të veçantë për ju, për familjet tuaja dhe për Republikën e Kosovës. Sot po betohen 515 ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, njëherazi gjenerata më e madhe që kemi pasur ndonjëherë. 515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut, 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit, 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes”, ka thënë Kurti.

Reklamë

Ai ka theksuar se betimi i ushtarëve të rinj përfaqëson vazhdimësinë e përpjekjeve të brezave për liri dhe vendosmërinë për të mos u nënshtruar.

Kurti ka përmendur edhe sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të kombit, duke thënë se ajo i obligon institucionet dhe qytetarët ta ruajnë të vërtetën historike dhe ta nderojnë luftën çlirimtare.

“Flijimi i dëshmorëve dhe martirëve të kombit na obligon që ta ruajmë të vërtetën historike, ta nderojmë luftën e drejtë çlirimtare dhe të krenohemi me të kudo që jemi e ngado që shkojmë”, ka deklaruar ai.

Kryeministri ka vlerësuar se ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit dhe se zhvillimi i saj është i domosdoshëm për garantimin e sigurisë së qytetarëve, mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor të saj.

Duke folur për investimet dhe zgjerimin e kapaciteteve të FSK-së, Kurti ka thënë se gjatë mandatit të kaluar buxheti i ushtrisë është trefishuar, ndërsa për mandatin aktual synohet investimi i mbi 1 miliard eurove.

Reklamë

“Gjatë mandatit të kaluar, u trefishua buxheti i ushtrisë. Në këtë mandat, zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri. Kemi rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj, duke zgjeruar radhët e forcës sonë dhe duke arritur më shumë se dyfishimin e saj në numër”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë të ditur se një gjeneratë tjetër do të nisë trajnimin gjatë këtij viti dhe se, sipas tij, me përfshirjen e saj Kosova po arrin kapacitetet ushtarake të planifikuara për vitin 2028, dy vjet më herët se sa ishte paraparë.

Kurti ka deklaruar gjithashtu se Kosova ka realizuar blerje të armatimit në vlerë prej mbi 430 milionë eurosh. Sipas tij, mbështetja ajrore përfshin dronët Bayraktar dhe Skyguard, ndërsa nga toka FSK-ja disponon më shumë se 40 lloje të armatimit të rëndë dhe të lehtë, modern dhe sipas standardeve të NATO-s.

Ai ka ritheksuar synimin që ushtria e Kosovës të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet e saj dhe të bëhet pjesë e NATO-s.

Reklamë

Kryeministri ka përmendur edhe pjesëmarrjen e FSK-së në misionet dhe ushtrimet ndërkombëtare, përfshirë “Defender 21”, “Defender 23” dhe “Defender 25”, duke thënë se Kosova tashmë kontribuon në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Në fund, Kurti ka folur për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend. Ai ka bërë të ditur se deri në fund të këtij viti pritet të nisë prodhimi i municionit në fabrikën që po ndërtohet në Gjakovë, të cilën e ka cilësuar si 100 për qind vendore.

Ai ka shtuar se Qeveria po e mbështet edhe sektorin privat që synon të prodhojë produkte ushtarake.