Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë, sipas projeksionit të shpërndarjes së ulëseve të publikuar nga IPSOS dhe Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), bazuar në 96 për qind të mostrës së përpunuar.
Sipas këtyre të dhënave, lista studentore “Studentët fitojnë” pritet të ketë 140 deputetë në Kuvendin e Serbisë, duke dalë e para në zgjedhje.
Ndërkaq, lista e Aleksandar Vuçiqit, “Serbia e Bashkuar”, ka siguruar 103 mandate.
Sipas projeksionit të publikuar në llogarinë zyrtare të CeSID-it, Koalicioni Shqiptar do të përfaqësohet me dy deputetë në Kuvendin e Serbisë.
Konačna projekcija raspodele mandata, na osnovu 96% obrađenog uzorka: https://t.co/rb4UEYY3gD
— CeSID (@CeSIDBeograd) October 25, 2026
Lista “Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës – Balint Pastor” ka fituar tri mandate, ndërsa lista “Rasim Ljajiq – Populli (SDP-CDP)” dhe “SDA Sanxhak – Rojtarët e Sanxhakut” kanë siguruar nga një mandat.
Të gjitha listat e tjera nuk kanë arritur të fitojnë asnjë ulëse në Kuvend.
Në mesin e tyre është edhe Partia Socialiste e Serbisë (SPS), e udhëhequr nga Ivica Daçiq, e cila, pas 18 vjetësh pjesëmarrjeje të pandërprerë në pushtet, nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor.
Projeksioni i IPSOS-it dhe CeSID-it bazohet në 96 për qind të mostrës së përpunuar, ndërsa shpërndarja përfundimtare e mandateve varet nga rezultatet zyrtare.