Një grua është gjetur pa shenja jete të shtunën mbrëma në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje në këtë fshat.

Viktima ishte shoqëruar në stacionin policor, ku ishte intervistuar. Po ashtu, ishte arrestuar dhe intervistuar bashkëshorti i saj, i cili ishte ndaluar për 48 orë.

Reklamë

Pas intervistimit, viktima, me vullnetin e saj, ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë.

Megjithatë, rreth orës 21:10, Policia është njoftuar se e njëjta grua ishte gjetur pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e saj.

“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka bërë të ditur se për vrasjen është i dyshuar një person, i cili dyshohet të jetë kunati i viktimës dhe aktualisht ndodhet në arrati.

Reklamë

“Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë. Personi i dyshuar për rastin e dytë (i cili dyshohet se është kunati i saj) ndodhet në arrati”.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes.

Ndërkohë, autoritetet po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të lokalizuar e arrestuar personin e dyshuar që ndodhet në arrati.

Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se viktima dyshohet se është qëlluar me sëpatë në kokë. /Reporteri.net/.

Reklamë