Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila mbahet sot për rastin e Arlinda Zekajt dhe dhunën ndaj grave.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Guri ka kritikuar mbajtjen e seancave që, sipas tij, mbeten në nivel simbolik dhe nuk shoqërohen me përgjegjësi konkrete apo masa parandaluese për mbrojtjen e grave.
“Arlinda nuk kishte nevojë për një seancë sot. Kishte nevojë për shtetin dje. Sot nuk do të marr pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit. Jo sepse nuk më dhemb vrasja e Arlindës, por sepse refuzoj të bëhem pjesë e ceremonive simbolike të vrasjes së grave”, ka shkruar ai.
Guri ka kritikuar edhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila njëherësh është Koordinatore Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave. Ai ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen që u ofrohet viktimave.
“Sot, në Kuvend, pritet të vijë edhe Donika Gërvalla, ministre e Drejtësisë dhe Koordinatore Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave. Një ministre që në Kuvend ka ofenduar gra të tjera, e që vetë gëzon mbrojtjen e shtetit, udhëton me truproja e xhipa, ndërkohë që gra të tjera, edhe pasi kërkojnë ndihmën e institucioneve, mbeten të pambrojtura”, ka shkruar Guri.
Ai ka thënë se nuk do të jetë pjesë e seancës, por do të marrë pjesë në protesta kundër dhunës ndaj grave dhe do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi nga institucionet.
“Unë nuk do të jem pjesë e këtij rituali. Por do të jem në rrugë, sa herë që thirren protesta kundër dhunës ndaj grave. Dhe do të vazhdoj të kërkoj përgjegjësi nga institucionet. Sepse gratë nuk kanë nevojë për fjalimet tona pasi të vriten. Kanë nevojë për mbrojtjen e shtetit sa janë gjallë. Andaj, po e përsëris: Arlinda nuk kishte nevojë për një seancë sot. Kishte nevojë për shtetin dje”, ka përfunduar Guri.
Edhe deputeti tjetër i LDK-së, Ermal Sadiku, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme. Ai ka kritikuar miratimin e rezolutave, të cilat, sipas tij, nuk po sjellin ndryshime konkrete në parandalimin e vrasjeve të grave.
“Seanca kemi mbajtë pothuajse pas çdo vrasjeje. Rezoluta kemi miratu me dhjetëra. E gratë vazhdojnë me u vra. Unë nuk shkoj në këtë seancë. E keni zinxhirin komandues në dorë. Shkarkoni ata që vetë i keni emëru. Kërkoni përgjegjësi. Merrni masa konkrete. Shtetin e keni në dorë. Policinë, drejtësinë, institucionet”, ka shkruar Sadiku.
Ai i është drejtuar edhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke kërkuar që në vend të seancave dhe fjalimeve për viktimat, të ndërmerren veprime konkrete për të parandaluar viktima të tjera.
“Mjaft me rezoluta. Mjaft me fjalë. Përgjegjësi”, ka shkruar Sadiku.