Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, e ka konfirmuar se ka iniciuar procedurë disiplinore dhe ka rekomanduar suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani Gacaferri.
“Po e konfirmoj”, ka thënë shkurt Gashi për Telegrafi/
Vendimi vjen pas zhvillimeve lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, i cili ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si institucionet e drejtësisë i kanë trajtuar raportimet dhe kërkesat e viktimës për mbrojtje.
Rekomandimi për suspendimin e dy prokuroreve pritet të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të thirrur nga kryeprokurori Gashi.
“S’ke me pasë djalin” – publikohen biseda kërcënuese ndaj Arlinda Zekajt dhe pamjet e dhunës para vrasjes
Procedurat lidhen me gjetjet e evidentuara nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit lidhur me veprimet dhe mosveprimet e dyshuara në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.
Rasti i 49-vjeçares, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për zbardhjen e përgjegjësive institucionale.
Me inicimin e procedurës disiplinore dhe rekomandimin për suspendim, pritet që mekanizmat kompetentë të shqyrtojnë përgjegjësitë eventuale të zyrtareve të përfshira në trajtimin e rastit.
Ndërkohë, lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprime hetimore dhe verifikuese për mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar raportimet e saj.
IPK ka konfirmuar me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, do të shqyrtojë komunikimin e zyrtarëve policorë me viktimën, kohën e reagimit dhe veprimet apo mosveprimet eventuale gjatë trajtimit të rasteve të raportuara.
“Nuk të pranoj më” – IPK nis hetimet për trajtimin policor të rasteve të raportuara nga Arlinda Zekaj
Hetimet synojnë të vlerësojnë nëse zyrtarët policorë kanë vepruar në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe të identifikojnë përgjegjësitë eventuale individuale dhe institucionale.