Radio Televizioni i Serbisë (RTS) ka shkarkuar tetë redaktorë të programit informativ, përfshirë redaktorët e portalit të televizionit publik, të emisionit “Oko” dhe të edicionit qendror të lajmeve, raporton mediumi serb N1.

Sipas këtij mediumi, vendimi për shkarkimin e tyre është marrë nga Borivoje Uskokoviq, i cili është emëruar ushtrues detyre i kryeredaktorit të programit informativ të RTS-it.

Në mesin e redaktorëve të shkarkuar janë Zoran Stanojeviq, përgjegjës për portalin e RTS-it, Gorislav Papiq, redaktor i emisionit “Oko”, Nikolina Rakiq, redaktore e programit të mëngjesit dhe atij të Beogradit sipas raportimeve paraprake, si dhe Vesna Shiljegoviq, përgjegjëse për korrespondentët.
Nga detyra janë shkarkuar edhe Suzana Gvozdenoviq, redaktore e programit për diasporën, si dhe Milica Nediq, Dushan Uboviq dhe Ruza Jeremiq Turudiq, të cilët ishin redaktorë të edicionit qendror të lajmeve, që transmetohet në orën 19:30.

Reklamë

Ndryshimet në redaksinë e programit informativ vijnë një ditë pasi Manja Grçiq dha dorëheqje nga pozita e drejtoreshës së përgjithshme të RTS-it.

Para dorëheqjes, Grçiq e kishte shkarkuar Bojana Mlladenoviqin nga pozita e kryeredaktores së programit informativ dhe kishte propozuar që në këtë detyrë të emërohej Uskokoviqi.

Dorëheqjet e drejtuesve dhe ndryshimet në redaksi vijnë pas kërkesave të studentëve dhe të një pjese të punonjësve të RTS-it, të cilët kanë kërkuar ndryshime në udhëheqjen e televizionit publik dhe në politikën redaktuese të tij.