Unai Emery është emri që pëlqehet më së shumti nga drejtuesit e Manchester Unitedit për ta marrë drejtimin e skuadrës, nëse klubi vendos të bëjë ndryshime në stolin e trajnerit.
Sipas ekspertit të transferimeve, Fabrizio Romano, trajneri spanjoll i Aston Villas vlerësohet shumë nga vendimmarrësit e klubit anglez.
“Nëse më pyetni se cili trajner vlerësohet më shumë nga Unitedi, sa u përket kandidatëve të mundshëm, ai që ata e pëlqejnë është padyshim Unai Emery”, deklaroi Romano për DAZN Football.
Emery ka bërë një punë të jashtëzakonshme te Aston Villa, të cilën e mori në tetor të vitit 2022, duke e shndërruar në një skuadër konkurruese në garat evropiane.
Trajneri spanjoll ka një karrierë të pasur, ku spikasin katër triumfet në Ligën e Evropës me Sevillan dhe Villarrealin, si dhe suksesi në Ligue 1 me Paris Saint-Germainin. Ai ka drejtuar edhe Arsenalin, ndërsa me Aston Villan ka vazhduar të dëshmojë aftësitë e tij si trajner.
Megjithatë, transferimi i tij në Manchester United nuk do të jetë i lehtë. Sipas raportimeve, klubi nga Manchesteri mund të duhet të paguajë rreth 23 milionë euro kompensim për ta liruar nga kontrata me Aston Villan.
Për më tepër, Emery është i përkushtuar ndaj projektit të klubit nga Birminghami dhe, deri më tani, vlerësimi i drejtuesve të Unitedit nuk nënkupton se kanë nisur negociatat për transferimin e tij.
Ndërkohë, Eddie Howe dhe Julian Nagelsmann përmenden gjithashtu si alternativa të mundshme për stolin e Manchester Unitedit.