Të paktën 24 persona kanë humbur jetën pas një sulmi ajror rus ndaj një shkolle në fshatin Komyshuvakha, në rajonin juglindor të Zaporizhzhias në Ukrainë. Lajmi u bë i ditur nga shërbimet e emergjencës ukrainase, të cilat konfirmuan se mes viktimave janë edhe dy pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit.

Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, forcat ruse fillimisht hodhën bomba ajrore mbi shkollën, e cila përdorej për shpërndarjen e ndihmave humanitare për banorët e zonës. Më pas, sipas tij, objekti u godit sërish me nëntë bomba të tjera, të cilat shënjestruan drejtpërdrejt strehën ku ishin mbledhur njerëzit.

Zelensky deklaroi se Rusia nuk mund të mos ishte në dijeni se banorët që kanë mbetur në Komyshuvakha mblidheshin çdo javë në atë vend për të marrë ndihma. Ai e cilësoi sulmin si një tjetër dëshmi se Moska nuk kërkon uljen e tensioneve dhe as një zgjidhje të drejtë të konfliktit.

Reklamë

Ndërkohë, sekretarja e Këshillit Bashkiak të Zaporizhzhias, Regina Kharchenko, bëri të ditur se 27 persona rezultojnë të zhdukur pas sulmit. Policia dhe ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë te banorët që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Sulmi ndodhi një ditë pas përfundimit të një armëpushimi lokal gjashtë ditor, të ndërmjetësuar nga zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump. Marrëveshja synonte të mundësonte dërgimin e ndihmave humanitare në qytetin e Oleshky, në rajonin e Khersonit, si dhe evakuimin e banorëve që dëshironin të largoheshin nga zona e përfshirë në luftime.