Dy dronë ushtarakë kanë shkelur hapësirën ajrore të Letonisë gjatë ditëve të fundit, duke ngritur alarmin për sigurinë në vend. Sipas ushtrisë letoneze, njëri prej tyre dyshohet se ishte rus, ndërsa tjetri ukrainas.

Autoritetet paralajmëruan të dielën dhe të hënën për praninë e dronëve pranë kufijve me Rusinë dhe Bjellorusinë, duke u kërkuar banorëve të zonave përkatëse të kërkonin strehim. Gjatë incidentit të së hënës, NATO aktivizoi edhe avionët luftarakë për monitorimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore.

Sipas një zëdhënësi të ushtrisë, droni i parë dyshohet se ishte i modelit rus “Geran”. Ende nuk dihet nëse ai ishte i armatosur, ndërsa më pas është kthyer në territorin rus.

Reklamë

Droni i dytë, që dyshohet se ishte ukrainas, u rrëzua në territorin e Letonisë. Megjithatë, autoritetet bëjnë me dije se ai ende nuk është gjetur.

Raste të ngjashme janë regjistruar edhe në Finlandë, Estoni dhe Lituani, ku dronë ushtarakë, kryesisht ukrainas, kanë devijuar nga kursi dhe kanë hyrë në hapësirën ajrore të këtyre vendeve. Kjo ka shtuar shqetësimet se lufta në Ukrainë mund të prekë edhe më drejtpërdrejt vendet anëtare të NATO-s që kufizohen me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Ndërkohë, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj porteve ruse në Detin Baltik, të përdorura për transportin e naftës. Disa prej dronëve ukrainas dyshohet se kanë humbur objektivat, duke përfunduar në territoret e vendeve fqinje dhe duke shkaktuar alarm te autoritetet.

Moska akuzon Kievin se përdor hapësirën ajrore të NATO-s për të mbuluar sulmet ndaj objektivave ruse. Nga ana tjetër, Ukraina pretendon se disa prej dronëve të saj kanë dalë nga kursi për shkak të ndërhyrjeve ruse në sinjalet e navigimit.

Incidentet kanë shtuar tensionet në rajonin e Detit Baltik, ndërsa vendet e NATO-s vijojnë të monitorojnë situatën dhe të forcojnë masat e sigurisë përgjatë kufijve me Rusinë.

Reklamë