Negociatorët nga Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të takohen në Abu Dhabi më 10 dhe 11 nëntor, njoftoi presidenti Volodymyr Zelenskiy gjatë vizitës në Gjermani.
Gjatë një konference të përbashkët me kancelarin gjerman, Merz, lideri ukrainas deklaroi se në fokus do të jenë garancitë e sigurisë dhe një armëpushim në Detin e Zi për të garantuar eksportet e ushqimit.
“Ne presim që takimet trepalëshe midis Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mund të rifillojnë më 10-11 nëntor, të cilat do të jenë në nivel pune. Për njerëzit e arsyeshëm, energjia dhe siguria në Detin e Zi duhet të kenë përparësi. Ne jemi gati për hapa diplomatikë, gati për paqe, për dialog dhe për një zgjidhje të drejtë. Por, e theksoj edhe një herë, na duhet siguri. Ky proces është shumë i rëndësishëm”, tha Zelensky.
Në fjalën e tij, kancelari gjerman, Friedrich Merz, theksoi se Rusia duhet të tregojë seriozitet në lidhje me bisedimet e armëpushimit.
“Ne këto kohë të vështira, Ukraina mund të vazhdojë të mbështetet të Gjermani si gjithmonë. Ne vazhdojmë mbështetjen tonë për Kievin në mënyrë të pandërprerë. Ndërsa dimri afrohet, mbrojtja ajrore dhe sektori I energjisë janë shumë të rëndësishme. Shpresojmë që Rusia të angazhohet në negociata serioze për të arritur një paqe të qëndrueshme”, tha Merz.
Ndalesa në Berlin është pjesë e një vale më të gjerë takimesh dhe konsultimesh diplomatike që po zhvillohen gjatë kësaj jave.
I dërguari i posaçëm i SHBA-ve, Steve Witkoff, bëri të ditur se përfaqësuesit amerikanë do të zhvillojnë takime të veçanta me Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Qëllimi i këtyre takimeve është të diskutohet se si do të garantohet siguria e Ukrainës pas përfundimit të luftës, si do të organizohet një sistem i ri i sigurisë në Evropë dhe si do të sigurohen fondet për rindërtimin e Ukrainës.