Jetlum Bunjaku, djali i heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës gjatë sulmit terrorist në Banjskë, ka thënë se ndien krenari që ka veshur uniformën e Policisë së Kosovës, të cilën është zotuar ta mbajë me nder, ashtu siç e mbajti edhe babai i tij.
I pyetur nëse është i gatshëm të japë jetën për Kosovën, Jetlum Bunjaku është përgjigjur duke iu referuar shembullit të babait të tij dhe vendimit për t’iu bashkuar Policisë së Kosovës.
“Veç krenari edhe kam me mbajtë uniformën qysh e ka mbajtë baba jem gjithmonë, dmth me nder”, ka deklaruar Bunjaku.
Ai ka theksuar se zgjedhja për ta veshur uniformën lidhet edhe me shembullin që i ka lënë babai i tij, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023, gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Diplomimi i gjeneratës së 63-të vjen pas një procesi përgatitor profesional, përmes të cilit 397 kadetë janë përgatitur për t’iu bashkuar radhëve të Policisë së Kosovës. Kjo gjeneratë përbëhet nga 118 gra dhe 279 burra, të cilët nga ky moment marrin përgjegjësinë për zbatimin e ligjit, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbrojtjen e qytetarëve.