Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se partia e saj nuk ka hequr dorë nga iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke bërë të ditur se aktualisht janë duke zhvilluar diskutime me Lëvizjen Vetëvendosje dhe subjektet e tjera parlamentare për procedurën e miratimit të tij.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Çitaku ka thënë se ekziston pajtueshmëri për përmbajtjen e ligjit, ndërsa dallimet mes partive kanë të bëjnë vetëm me procedurën parlamentare.
Ajo ka theksuar se PDK-ja është e vendosur të vazhdojë angazhimin për miratimin e tij, duke e cilësuar këtë çështje si përgjegjësi shtetërore dhe jo si betejë partiake.
“Ne jemi në bashkëbisedim dhe diskutime intensive me Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe me subjekte të tjera politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Gjëja më e rëndësishme është që ka pajtueshmëri për përmbajtjen e ligjit, ndërkohë që tani kemi diskutime vetëm për procedurën. Unë dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mijëra të rinjtë që kanë protestuar në sheshin e Prishtinës, anekënd Kosovës e në diasporë, kudo që ka shqiptarë, se Partia Demokratike e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk kanë hequr dorë nga ligji. Përkundrazi. Ligji është tani në procedurë të rregullt parlamentare, përmbajtja është pak a shumë e dakorduar, diskutimi është thjesht për procedurën. Unë jam e bindur që, nëse vazhdojmë me vullnetin politik që kemi demonstruar ditën kur e kemi miratuar ligjin, do të gjejmë zgjidhje dhe ligji do të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Çitaku në një intervistë për Ekonomia Online.
Duke folur për takimet me përfaqësuesit e Vetëvendosjes dhe qëndrimin e kësaj partie, Çitaku ka bërë të ditur se janë zhvilluar disa takime me zyrtarë të lartë të subjektit në pushtet.
“Siç e thashë, kemi pasur jo një, por disa takime me zyrtarë të lartë dhe me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk kemi asnjë lloj dallimi për përmbajtjen e ligjit. Aty ku dallojmë është thjesht procedura, por jam e bindur që edhe në këtë pikë do të gjejmë pajtueshmëri. Ne nuk kemi hequr dorë nga ligji, sikurse jemi të vetëdijshëm që miratimi i këtij ligji nuk e përmbush detyrimin që kemi si institucione për t’u dalë në mbrojtje krerëve të UÇK-së, që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Janë edhe një varg hapash që institucionet e Republikës së Kosovës, me koordinimin që po bëhet brenda grupit strategjik, do të ndërmarrin në mënyrë që e vërteta e luftës çlirimtare të triumfojë edhe në Gjykatën e Hagës”, u shpreh Çitaku.
Kujtojmë që presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, më 22 tetor ka vendosur ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas arsyetimit të vendimit, presidentja kishte pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të PDK-së, si sponsorizues i ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë që ta rishqyrtojë atë.
Rishqyrtimi përqendrohet veçanërisht në dispozitat që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe në garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave.
Në arsyetimin e vendimit, presidentja Shiroka-Pula ka theksuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ajo ka rikujtuar gjithashtu mbështetjen e saj për Deklaratën e Kuvendit të Kosovës të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.