×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri çek: Nuk e rishikojmë vendimin për njohjen e Kosovës

    Reporteri
    07 Nëntor 2019 | 9:28

    Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Tomas Petricek, thotë se vendi i tij nuk po e rishikon vendimin për njohjen e Kosovës, ndonëse presidenti çek, Millosh Zeman, ka paralajmëruar se mund të ndodhë një gjë e tillë.


    “Jo. Qeveria çeke nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj. Ne e kemi njohur Kosovën në vitin 2008 si shtet të pavarur dhe përpiqemi të zhvillojmë marrëdhënie korrekte dhe pozitive me Kosovën. Ne i mbështesim të gjitha vendet në rajon për t’u bërë anëtare të BE-së, sepse është në interes të stabilitetit dhe sigurisë evropiane, por po ashtu është edhe mënyrë për zgjidhjen e shumë problemeve lokale, shumë tensioneve rajonale. Në të njëjtën kohë e mbështesim edhe dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, për të tejkaluar të kaluarën dhe për të shikuar se si mund të jetojnë së bashku në Evropën e bashkuar”, ka deklaruar Petricek, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

    Ai më tej ka pohuar se mbështesin ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare.

    “E kemi diskutuar me ministrin e Brendshëm dhe i kemi paraqitur argumentet në favor, sidomos kur bëhet fjalë për luftimin e krimit të organizuar. Ne besojmë se Interpol-i luan një rol të rëndësishëm. Ka qenë Kosova që në fund e ka tërhequr aplikimin për t’u bërë anëtare, por ne do të donim të punonim me autoritetet e Kosovës për të përmirësuar situatën, kur bëhet fjalë për krimin, luftimin e rrjeteve të organizuara të kriminelëve, sepse kjo është edhe në interes të sigurisë në rajonin tonë”, ka deklaruar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!