Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës ta rrëzojë vendimin e presidentes Justina Shiroka-Pula për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Gjykatën Speciale, në mënyrë që ai të rikonfirmohet dhe të hyjë në fuqi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, Deliu-Kodra u bëri thirrje anëtarëve që ta votojnë procedimin e ligjit në Kuvend, duke theksuar se ai duhet të rikthehet për miratim në formën aktuale.

Para diskutimit të saj, kryetari i Komisionit për Legjislacion ka theksuar se kthimi i ligjit nga presidentja nuk nënkupton anulimin e tij, por aktivizon një procedurë të veçantë të rishqyrtimit parlamentar.

Reklamë

Sipas tij, përgjegjësia e Komisionit në këtë fazë është të shqyrtojë arsyet e kthimit të ligjit dhe të përgatisë raportin për seancën plenare, ndërsa vendimi përfundimtar i takon Kuvendit.

Ai ka bërë dallimin mes rikonfirmimit të ligjit të miratuar më parë dhe mundësisë për ndërhyrje të reja në të, duke theksuar se në këtë fazë Kuvendi mund vetëm ta konfirmojë ligjin ose të mos e miratojë atë.

“Dëshiroj gjithashtu të bëj të qartë dallimin juridik që konsideroj se është themelor, ndërmjet rikonfirmimit të ligjit të miratuar më parë dhe mundësisë së ndërhyrjeve të reja, gjë që ne nuk e kemi në këtë rast. Ne e kemi tagër, ose seanca plenare ka tagër, vetëm të bëjë konfirmimin e ligjit ose ta lërë Kosovën pa ligj”, ka deklaruar kryetari i Komisionit.

Ndërkaq, Deliu-Kodra ka bërë të ditur se PDK-ja ka zhvilluar negociata me Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën e trajtimit të këtij ligji, por palët nuk kanë arritur marrëveshje për ndryshimin e tij.

“Ka pasur negociata me VV-në për mënyrën se si do ta trajtojmë Ligjin për Specialen. Jemi dakorduar që ta kalojmë ligjin. Nuk kemi arritur dakordësi që të bëhen ndryshime në ligj”, tha ajo.

Reklamë

Deliu-Kodra theksoi se mes palëve ka pasur interpretime të ndryshme për Rregulloren e Kuvendit. Sipas saj, PDK-ja ka konsideruar se ligji mund të amandamentohet edhe në këtë fazë, ndërsa shumica parlamentare ka pasur qëndrim të kundërt.

“Prandaj, sot jemi në situatën që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend, në formën siç është. Pastaj, ne do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit, bashkë me deputetët”, deklaroi ajo.

Sipas deputetes së PDK-së, versioni aktual i ligjit duhet të rivotohet në Kuvend, në përputhje me nenin 84 të Rregullores së Kuvendit. Për miratimin e tij dhe rrëzimin e vendimit të presidentes, ajo tha se nevojiten 61 vota.

Deliu-Kodra u bëri thirrje deputetëve që ta mbështesin procedimin e ligjit në seancë plenare, ku, sipas saj, do të ketë mundësi për diskutim dhe për një proces të mëvonshëm të amendamentimit.

Reklamë

Komisioni për Legjislacion po shqyrton vendimin e presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, për kthimin në Kuvend të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Mbledhja e Komisionit ka nisur në orën 9:30.

Ndryshimet në Ligjin për Specialen ishin miratuar më 6 tetor, ndërsa më 22 tetor presidentja Shiroka-Pula e kishte kthyer atë në Kuvend, pas kërkesës së PDK-së, e cila kishte iniciuar ndryshimet.

Ndryshimet në këtë ligj erdhën rreth dy javë pasi Gjykata Speciale dënoi me gjithsej 81 vjet burgim katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Reklamë