Esmeralda Hasani është drejtuesja e re e Shërbimit Informativ të Shtetit. Emërimi i saj është zyrtarizuar me dekret të presidentit të Republikës Bajram Begaj.
Lëvizjet në nivel drejtues në një prej institucioneve më të rëndësishme shtetërore, erdhën pas lëshimit të masës së sigurisë “arrest shtëpie” nga GJKKO për ish-drejtuesen Vlora Hyseni. Kjo e fundit akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.
Konkretisht, Hyseni akuzohet për lidhje të ngushta me biznesmenin Ergys Agasi. Sipas SPAK, Hyseni ka ndihmuar nga arratia Agasin me informacione të klasifikuara. Agasi është arrestuar më 26 gusht i akuzuar si drejtues i grupit të strukturuar kriminal që vepronte në institucionin e AKSHI-t.
Së fundmi, SPAK i ka shtuar Hysenit dhe akuzat për korrupsion e pastrim parash. Në fokus janë disa transferta financiare të zbuluara gjatë kontrolleve në një prej zyrave të Agasit.
Kush është drejtuesja e re e SHISH
Gjatë karrierës së saj, Esmeralda Hasani ka mbajtur pozicionin e Konsulentes së Lartë në Zyrën e Kryeministrit, ku është marrë me hartimin dhe planifikimin e projekteve, si dhe me sigurimin e financimeve për realizimin e tyre.
Që prej vitit 2014, Hasani është pjesë e Forumit të Projekteve Evropiane në cilësinë e Anëtares së Lartë. Ajo ka pasur gjithashtu angazhime në fushën akademike. Formimi i saj akademik lidhet me të drejtën ndërkombëtare dhe shkencat politike. Ajo ka përfunduar gjithashtu një master në Planifikim dhe Zhvillim Projektesh në Shkollën e Biznesit të Inovacionit në Bruksel.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së saj ka qenë e përqendruar te procesi i integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimi i projekteve kërkimore, arsimore e inovative. Në këto angazhime ka bashkëpunuar me universitete, kompani dhe institucione kërkimore brenda dhe jashtë vendit.
Në eksperiencën ndërkombëtare të saj përfshihet bashkëpunimi me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), ku është angazhuar si Konsulente Ndërkombëtare për Zhvillimin e Projekteve.
Nga shtatori i vitit 2017 deri në dhjetor 2018, ajo ka ushtruar detyrën e këshilltares dhe shefes së stafit të Ministrit të Shtetit për Diasporën. Gjatë kësaj periudhe, ka kontribuar në krijimin dhe organizimin e strukturave të reja që synonin forcimin e lidhjeve dhe angazhimit të diasporës shqiptare. Ajo ka qenë dhe pjesë e strukturës së SHISH pasi ka drejtuar Departamentin e Mbështetjes.
Propozimi për emërimin e Esmeralda Hasanit ka ardhur nga kryeministria. Pas shkarkimit të Hysenit, ishte Elvis Lila që u emërua drejtues i komanduar i SHISH nga kryeministri Edi Rama.