Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën, si pikë e fundit e rendit të ditës, pritet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Para kësaj pike, deputetët pritet të shqyrtojnë disa marrëveshje ndërkombëtare, interpelancën ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe një mocion përmbajtësor lidhur me çështjen e energjisë.

Projektligji për Dhomat e Specializuara është përfshirë në rendin e ditës të seancës një ditë më parë, pas kërkesës së ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku. Ajo ka paralajmëruar se brenda dy javësh do të sjellë një nismë të re ligjore për amendamentimin e këtij ligji.

Reklamë

Në fillim të seancës, kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, iu kërkua që të përshpejtohen procedurat për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi, sipas deputetëve, ekziston konsensus për votimin e tyre.

Haxhiu u përgjigj se procedurat nuk mund të përshpejtohen më shumë sesa janë përshpejtuar në raste të veçanta, duke iu referuar edhe seancës për zgjedhjen e presidentes.

“Më shpejt se kaq nuk mund të bëhet, përveç kur e kemi zgjedhur presidenten. Ajo seancë u shikua shumë dhe u komentua shumë për shpejtësinë tonë që kemi pasur dhe kemi bërë shumë mirë”, tha Haxhiu.