Milan Radojiçiqi, personi kryesor dhe organizatori i sulmit terrorist në Banjskë, dyshohet se është larguar nga Serbia dhe është vendosur në Rusi.

Ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, ka deklaruar se ka informacione jozyrtare se Radoiçiqi ka lëshuar territorin e Serbisë dhe ka udhëtuar drejt Rusisë.

Duke folur në televizionin N1, Zvezdanoviq tha se, sipas informacioneve që ka nga BIA, Radoiçiqi tashmë ndodhet në Rusi.

Reklamë

I pyetur nëse largimi i tij nga Serbia ishte bërë me leje apo në mënyrë ilegale, ish-inspektori u përgjigj se në pushtet është ende Partia Progresive Serbe (SNS).

“ atij nuk i është dashur leje”, deklaroi Zvezdanoviq.

Sipas tij, largimi i Radoiçiqit nga Serbia ka shqetësuar edhe një pjesë të udhëheqjes së BIA-s, e cila, siç pretendoi ai, kishte skema biznesore dhe kriminale me të.

Ndërkohë, kujtojmë se Radoiçiqit, i cili nga autoritetet e Kosovës konsiderohet organizatori kryesor i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, i ishte konfiskuar pasaporta me vendim gjykate dhe i ishte ndaluar largimi nga Serbia.

Ai kishte qenë gjithashtu i obliguar që të paraqitej rregullisht në polici.

Reklamë

Televizioni N1 ka bërë të ditur se më 29 tetor i kishte drejtuar pyetje Gjykatës së Lartë lidhur me atë nëse Radoiçiqi po e përmbushte detyrimin për t’u paraqitur në polici, por nuk kishte marrë përgjigje.