Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, janë përplasur në Kuvendin e Kosovës lidhur me tenderët për furnizimin me barna, mungesat në sistemin shëndetësor dhe pretendimet për keqpërdorim të parasë publike.

Gjatë interpelancës, Zemaj ka akuzuar Qeverinë për keqmenaxhim të sektorit të shëndetësisë, duke pretenduar se, pavarësisht rritjes së buxhetit për barna, janë shtuar mungesat e tyre dhe listat e pritjes për pacientët.

Deputeti i LDK-së ka pretenduar gjithashtu se çmimet e barnave kundër kancerit janë rritur për 300 për qind, ndërsa sipas tij, vetëm dy kompani farmaceutike kanë përfituar tenderë në vlerë prej mbi 150 milionë eurosh.

Reklamë

“Kemi folur në vazhdimësi për këto keqpërdorime, që besa edhe vjedhje të parasë publike, që nënkuptojnë edhe vjedhjen e jetës së pacientëve. Nuk duhet të presim derisa të shpërfaqet një skandal për t’u mbledhur Kuvendi, por edhe që Qeveria të ndihet më e përgjegjshme. A e dini çka është rritur në Kosovë? Janë rritur listat e pritjes. Përpos që është rritur buxheti për barna, është rritur mungesa e barnave. Është rritur abuzimi me barna, tenderët, mungesa e atyre që janë më bazike, atyre më të thjeshta dhe papërgjegjësia. Prioritet i kësaj Qeverie asnjëherë nuk ka qenë shëndetësia. E ka kthyer një ministër, e ka nxjerrë kandidat për kryetar të Prishtinës dhe e ka humbur garën. 300 për qind buxhet më shumë, 300 për qind çmime më të larta të barnave kundër kancerit. A e dini se më shumë se 150 milionë nga totali i këtij buxheti i kanë marrë tenderë vetëm dy kompani farmaceutike”, tha Zemaj.

Ndaj këtyre akuzave reagoi ministri Vitia, i cili tha se Zemaj vazhdimisht flet për keqpërdorime dhe vjedhje, por nuk ka paraqitur, sipas tij, asnjë fakt për t’i mbështetur pretendimet.

Vitia pretendoi se pas kritikave të deputetit të LDK-së qëndrojnë interesa të kompanive farmaceutike, duke përmendur edhe një person që, sipas tij, ka lidhje me një kompani të këtij sektori.

“Ju e përmendët prapë keqpërdorime e vjedhje, jeni duke e thënë vazhdimisht këtë, për besë kurrë as edhe një gjysmë fakti nuk e keni paraqitur, o ish-ministër. Listat e pritjes, the, janë rritur, por janë rritur shërbimet, për besë. E di pse e bëni këtë, është lufta farmaceutike, sepse ju e keni një mik në LDK që ka një kompani tjetër farmaceutike, që po mundohen dhe janë në luftë për t’i marrë këto barna. Thoni troç ku është problemi”, tha Vitia.

Gjatë debatit, Zemaj iu referua edhe një emaili zyrtar, për të cilin tha se beson se gjendet edhe në Prokurori. Ai ia dorëzoi ministrit dokumentin, duke e sfiduar që të përgjigjet lidhur me përmbajtjen e tij.

Reklamë

“Për besë nuk e di, thuama në vesh këtu, unë e them në mikrofon, këtë e ki të garantuar 100 për qind. Shiko një email zyrtar, po ua jap juve, por besoj se e ka edhe Prokuroria”, tha Zemaj.

Në kundërpërgjigje, Vitia mohoi të ketë pasur lidhje me personin të cilit i referohej deputeti, duke thënë se ai nuk kishte qenë pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë kohës sa ai e kishte drejtuar këtë institucion.

Ministri paralajmëroi se do ta dërgojë vetë emailin në Prokurori.

“Pse po ma jepni këtë kur e dini se nuk është e imja, nuk ka qenë as bartës i imi, kurrë nuk ka qenë në Ministrinë e Shëndetësisë sa kam qenë unë. Vazhdoni konsistencën në LDK, ju përgëzoj, por ndaleni së shpifuri se nuk ka kuptim. Unë e dërgoj sot direkt në Prokurori”, tha Vitia.

Reklamë