Ministri në detyrë, Abelard Tahiri, ka falënderuar të gjithë qytetarët që i kanë dhënë besimin të jetë deputet në legjislaturën e re të Kuvendit.
Ai ka thënë se si deputet e pret angazhim edhe më i madh dhe shton se do të jetë zë i pa lëkundur për rend dhe ligj, për shtet me dinjitet dhe për të drejtat e gjithsecilit, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
Për dy vite si Ministër i Drejtësisë, pa reshtur dhe me përkushtimin më të madh, jam përpjekur t’i shërbej drejtësisë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.
Pavarësisht ciklit politik dhe ndryshimeve, tani e tutje do ta vazhdoj këtë përkushtim në Kuvendin e Republikës tonë.
Ju falënderoj nga zemra të gjithëve, që me votën tuaj i keni dhënë besim e fuqi kauzës për të cilën qëndroj në politikë. Si deputet, bashkërisht me ju, na pret punë dhe angazhim edhe më i madh për të përmbushur pritjet legjitime për shtet të së drejtës.
Jam e do të jem zë i pa lëkundur për rend dhe ligj, për shtet me dinjitet dhe për të drejtat e gjithsecilit prej jush.