Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Partia Socialiste nuk mbron askënd që përballet me drejtësinë, ndërsa ka kundërshtuar përdorimin e paraburgimit ndaj zyrtarëve të zgjedhur.
Gjatë fjalimit në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama iu referua çështjeve që lidhen me Belinda Ballukun dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se qëndrimi i tij për ndarjen e pushteteve mbetet i pandryshuar.
“Raporti ynë me drejtësinë ka qenë, është dhe mbetet një raport pushtetesh të ndara dhe kush ka një problem me drejtësinë e ka personal, të vetin me avokatët e vet. Unë dhe Partia Socialiste nuk bëjmë avokatinë e askujt”, deklaroi Rama.
Ai hodhi poshtë pretendimet se kishte ndërhyrë në mbrojtje të Ballukut, duke sfiduar kritikët të gjejnë një deklaratë të tij që dëshmon të kundërtën.
“Gjejeni një fjalë timen ose të kujtdo këtu, që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Belinda Ballukut dhe ma thoni; nuk e gjeni dot për asnjërin dhe për asnjërën”, tha kryeministri shqiptar.
Megjithatë, Rama përsëriti kundërshtimin e tij ndaj paraburgimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilin e cilësoi si çështje që prek funksionimin demokratik të institucioneve.
“Është një paraburgim absurd dhe mbetet një çështje e demokracisë. Nuk mund t’i marrësh ti kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe t’ia mbyllësh brenda pa gjyq, por nga ana tjetër nuk mund të thuash që ky nuk mund të zëvendësohet se është në detyrë?”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, qëndrimi i tij nuk lidhet me fajësinë apo pafajësinë e Veliajt, por me mënyrën e zbatimit të masave të sigurisë.
Ai foli edhe për çështjen e Ballukut, duke mbrojtur qëndrimin e shumicës parlamentare për të mos mbështetur paraburgimin e saj gjatë zhvillimit të hetimeve.
“Nuk ka arsye për të ngritur ne, se erdhi puna tek ne, jo tek mendimi im apo i joni për çështjen se kjo s’është çështja jonë. Por erdhi puna tek ne, ta ngremë kartonin për të paraburgosur një tjetër koleg pa gjyq kur hetimet vazhdojnë”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se, sipas tij, hetimet ndaj Ballukut kanë vazhduar dhe çështja ka kaluar në gjykim, duke argumentuar se qëndrimi i shumicës nuk e kishte penguar procesin.
Rama kritikoi gjithashtu përdorimin e gjerë të paraburgimit në Shqipëri, duke deklaruar se 63% e personave të mbajtur në institucionet penitenciare janë të paraburgosur.
“63% e njerëzve që sot paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe nuk kushton pak një njeri që rri brenda, janë të paraburgosur. Ndodhin çudira, i mbarojnë afatet dhe dalin pa u gjykuar fare”, tha ai.
Ai pretendoi se Shqipëria ka një përqindje të paraburgosurve dyfish më të lartë se Rusia, ndërsa kërkoi respektimin e prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave të personave nën hetim.
“Patjetër që ne jemi për hetime, për gjykime të pavarura, por këtu ka disa balanca, ka disa të drejta dhe liri të njerëzve”, theksoi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se një paketë e re ligjore që synon ndryshime në përdorimin e paraburgimit është në konsultim.
Sipas tij, ndryshimet synojnë të vendosin një ekuilibër ndërmjet nevojës për hetime të pavarura dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave individuale.