Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, pret që gjatë kësaj jave të thirret seanca e Kuvendit për rivotimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë (REL), Çitaku ka thënë se pas miratimit të ligjit do të nisë procesi i amendamentimit të tij, me qëllim të forcimit të bazës juridike, ndërsa ka ftuar edhe partnerët ndërkombëtarë që të kontribuojnë në këtë proces.
“Menjëherë pas votimit, do të nisim procesin e amendamentimit për ta fuqizuar ligjin dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e tij juridike. I ftojmë partnerët tanë ndërkombëtarë të kontribuojnë përmes konsultimeve përmbajtësore dhe propozimeve konkrete”, ka deklaruar Çitaku për REL-in.
Javën e kaluar, seanca plenare e Kuvendit u ndërpre në mungesë kuorumi, duke pamundësuar votimin e Ligjit të ndryshuar për Dhomat e Specializuara.
Ligji ishte miratuar më 6 tetor, por më 22 tetor ishte kthyer në Kuvend nga presidentja Justina Shiroka Pula, pas kërkesës së PDK-së, e cila kishte kërkuar rishqyrtimin e tij për të forcuar bazën juridike të ndryshimeve.
Çitaku ka thënë se pret që kjo çështje të jetë pika e parë e rendit të ditës në seancën e ardhshme, duke u shprehur se pret konstruktivitet nga të gjitha palët, sikurse në votimin e 6 tetorit.
Ndërkohë, kabineti i kryeparlamentares Albulena Haxhiu nuk ka treguar se kur pritet të vazhdojë seanca.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara kanë nxitur kundërshtime nga Bashkimi Evropian, i cili ka paralajmëruar se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. BE-ja ka bërë të ditur se është në konsultime me Qeverinë e Kosovës lidhur me këto ndryshime.
Ndryshimet u miratuan pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi u shpallën fajtorë për krime lufte. Mbrojtja e tyre po përgatitet të apelojë vendimin e shkallës së parë.
Ndërkaq, Qeveria ka krijuar një grup punues për hartimin e strategjisë për fazën e apelit.
Çitaku e ka cilësuar periudhën aktuale si sfiduese për Kosovën, duke theksuar nevojën për ruajtjen e kohezionit të brendshëm.
“Në prag të vendimit të nesërm për administrimin e drejtësisë, padrejtësitë e këtij procesi e bëjnë më urgjent se kurrë ligjin që synon ta kthejë gjykatën në binarët për çka është e thirrur: atë të drejtësisë”, ka thënë ajo për REL-in.
Pse ligji u kthye në Kuvend?
Më 22 tetor, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, e ktheu në Kuvend ligjin e ndryshuar, të miratuar më 6 tetor, pas kërkesës së PDK-së. Kjo parti kishte argumentuar se synimi ishte forcimi i bazës juridike dhe sigurimi i zbatueshmërisë së ndryshimeve në praktikë.
Tashmë, PDK-ja kërkon që ligji të miratohet sërish pa ndryshime në përmbajtjen e tij, ndërsa mangësitë eventuale të adresohen përmes një nisme të re legjislative.
Për t’u konsideruar i miratuar, ligji duhet të marrë së paku 61 vota të deputetëve. Në të kundërtën, ai konsiderohet i pamiratuar.
Ndryshimet e miratuara më 6 tetor nuk parashohin shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, por prekin disa aspekte të rëndësishme të funksionimit dhe juridiksionit të tyre.
Ndër ndryshimet kryesore është kufizimi i juridiksionit të gjykatës në veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për trafikim të organeve, sipas raportit të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Po ashtu, ndryshimet synojnë të kufizojnë periudhën kohore të krimeve që mund të trajtohen nga gjykata, nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000, si dhe të kufizojnë juridiksionin territorial vetëm në territorin e Kosovës.
Ndryshimet përfshijnë edhe transferimin në Kosovë të rasteve që nuk do të përfshiheshin më në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim dhe mundësinë e faljes presidenciale për personat e dënuar.
Dhomat e Specializuara janë themeluar mbi bazën e një ndryshimi kushtetues, një ligji të veçantë dhe zotimeve ndërkombëtare të Kosovës. Në mesin e këtyre zotimeve është edhe konsultimi me Bashkimin Evropian për nismat ligjore që mund të ndikojnë në mandatin e gjykatës dhe në procedurat që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese.
Edhe Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se nuk janë konsultuar për këtë nismë, ndërsa kryetarja e gjykatës, Ekaterina Trendafilova, ka theksuar se institucioni që ajo drejton garanton procese të pavarura dhe të paanshme.