Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka tërhequr vëmendjen me një gjest të papritur gjatë një samiti ndërkombëtar në Berlin, ku e ka përqafuar nga prapa homologun e tij belg, Bart De Wever, duke nxitur një reagim që është bërë viral në rrjetet sociale.

Ngjarja ndodhi të enjten, në ambientet e Kancelarisë gjermane, ku liderët evropianë ishin mbledhur në kuadër të samitit të “Koalicionit të Vullnetarëve”, për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën dhe përpjekjet për arritjen e paqes.

Në pamjet e publikuara shihet kryeministri belg teksa po fliste me gazetarët, kur Rama i afrohet nga prapa dhe e përqafon papritur.

Reklamë

Reklamë

Por, ajo që tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte reagimi i De Weverit, i cili, pa e kthyer fare kokën, dukej se e kuptoi menjëherë se kush qëndronte pas tij.

“Ky duhet të jetë ai shqiptari. Ai gjithmonë vjen nga prapa”, u shpreh kryeministri belg me humor.

Ky moment i pazakontë mes dy liderëve u regjistrua nga kamerat dhe u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u bërë një nga momentet më të komentuara të samitit në Berlin.