Një burrë zbathur, me dorën e thyer, është ulur në tokë, ndërsa punonjësit shëndetësorë ia kontrollojnë plagët.

Disa metra më tutje, një person tjetër mezi ecën, duke u mbështetur te shoqëruesit e tij.

Në fotografitë dhe videot e publikuara në mes të nëntorit nga organizata austriake SOS Balkanroute shihen disa migrantë me fasha, mavijosje dhe gjurmë gjaku, të cilët, sipas pretendimeve të tyre, janë kthyer nga Kroacia në Bosnje dhe Hercegovinë.

Reklamë

Sipas një raportimi të Radios Evropa e Lirë, organizata pretendon se më 11 nëntor policia kroate ka kthyer me forcë 53 migrantë nga Kroacia në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ajo e cilëson këtë si rastin me numrin më të madh të migrantëve të lënduar rëndë që ekipet e saj kanë hasur gjatë një incidenti të vetëm në vitet e fundit.

Autoritetet kroate i kanë hedhur poshtë akuzat, ndërsa Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) ka kërkuar një hetim të shpejtë, gjithëpërfshirës dhe të pavarur.

Për këtë çështje ka hapur rast edhe Avokati i Popullit i Kroacisë, i cili ka kërkuar sqarime nga Ministria e Punëve të Brendshme e këtij shteti.

Edhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe aktivistë kanë ngritur shqetësime për pretendimet e përsëritura për kthimin e dhunshëm të migrantëve, duke vënë në pikëpyetje reagimin e Komisionit Evropian.

Reklamë

Ky i fundit nuk ka dhënë përgjigje lidhur me akuzat e fundit ndaj Kroacisë.

Dhjetëra persona të lënduar u gjetën pesë kilometra larg kufirit

Sipas raportit të publikuar nga SOS Balkanroute dhe Medical Solidarity International, më 11 nëntor ekipet e Kryqit të Kuq dhe të SOS Balkanroute morën informacione se në zonën e Trshacit, Cërnajes dhe Shturlliqit, pranë Cazinit, në veriperëndim të Bosnje dhe Hercegovinës, ndodheshin disa grupe migrantësh me lëndime të lehta dhe të rënda.

Reklamë

Ekipet u informuan edhe për 53 persona që dyshohej se ishin kthyer nga Kroacia në Bosnje dhe Hercegovinë.

Pas mbërritjes në vendngjarje, ato gjetën gjithsej 40 migrantë, të ndarë në gjashtë grupe.

Mes tyre kishte shtetas të Bangladeshit, Pakistanit, Sudanit, Nepalit dhe Indisë, përfshirë gra dhe të mitur.

Në raport thuhet se shumë prej tyre nuk kishin para, disa ishin zbathur, ndërsa të tjerë kishin mbetur pa pjesën më të madhe të rrobave.

Reklamë

Shumë prej tyre kishin lëndime të dukshme, ndërsa te disa dyshohej për thyerje të duarve, këmbëve dhe brinjëve, si dhe për plagë të hapura e lëndime në kokë.

“Shërbimet emergjente u detyruan të transportonin pesë persona që kishin pësuar thyerje të duarve dhe këmbëve, si dhe lëndime në kokë. Dymbëdhjetë personat e tjerë, nëntë prej të cilëve ishin të lënduar, u transportuan me taksi në kampin Lipa (pranë Bihaqit), me organizimin e SOS Balkanroute”, thuhet në raportin e organizatës.

Çfarë pretendojnë migrantët?

Sipas dëshmive të mbledhura nga organizata SOS Balkanroute, migrantët kanë deklaruar se nga Bosnje dhe Hercegovina kishin kaluar në Kroaci dhe kishin arritur pothuajse deri në kufirin me Slloveninë, ku ishin ndaluar nga policia kroate.

Reklamë

Në raport thuhet se më pas ata ishin kthyer drejt një zone pyjore pranë kufirit me Bosnje dhe Hercegovinën, ku ishte mbledhur një grup prej 53 migrantësh të kombësive të ndryshme.

Sipas organizatës, migrantët pretendojnë se aty ndodheshin rreth 15 policë të maskuar.

Ata kanë deklaruar se policët ua kishin marrë paratë dhe ua kishin shkatërruar telefonat celularë, ndërsa disa prej tyre i kishin zhveshur edhe nga rrobat dhe këpucët.

Më pas, sipas dëshmive të tyre, ishin dërguar në një vend tjetër dhe ishin kthyer përtej kufirit në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë këtij procesi, pretendojnë se ishin goditur me grushte, shqelma dhe shkopinj policorë, si dhe ishin kërcënuar me armë zjarri.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë i ka mohuar akuzat për dhunë.

Tetë migrantë u trajtuan në spitalin e Bihaqit

Në Spitalin Kantonal “Dr. Irfan Lubijankiq” në Bihaq, tetë persona me prejardhje migrante janë kontrolluar nga mjekët gjatë periudhës 11 deri më 13 nëntor.

Njëri prej tyre kishte thyerje të kockës së kofshës, një tjetër thyerje të parakrahut, ndërsa te të tjerët ishin konstatuar lëndime të lehta trupore.

Sipas spitalit, të lënduarit kanë deklaruar se plagët ua kishin shkaktuar zyrtarët policorë gjatë kalimit të kufirit.

Nga ky institucion kanë bërë të ditur se gjatë vitit të fundit janë kontrolluar edhe shumë persona të tjerë me prejardhje migrante, të cilët kanë deklaruar se kanë pësuar lëndime në rrethana të ngjashme.

UNHCR-ja kërkon hetim, IOM-i ofron ndihmë

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) ka bërë thirrje për hetim të shpejtë, të plotë dhe të pavarur të pretendimeve për kthime të dhunshme të migrantëve nga Kroacia në Bosnje dhe Hercegovinë.

Agjencia ka konfirmuar se është në dijeni të raportimeve për këto raste dhe se po mbledh informacione shtesë.

“U bëjmë thirrje autoriteteve kompetente që t’i hetojnë shpejt, në mënyrë të plotë dhe të pavarur pretendimet për kthime të dhunshme në kufi”, thuhet në përgjigjen e UNHCR-së.

Kjo agjenci thekson se shtetet kanë të drejtë t’i kontrollojnë kufijtë e tyre, por njëkohësisht kanë detyrim të respektojnë të drejtën ndërkombëtare për azil.

“E drejta për të kërkuar dhe për të gëzuar azil është themelore. Të gjithë azilkërkuesve duhet t’u sigurohet qasje në procedurat e azilit dhe mbrojtje nga dëbimi ose kthimi i detyruar pa procedurë”, thuhet në përgjigje.

UNHCR-ja ka kujtuar se raportime të ngjashme janë publikuar prej vitesh, duke i bërë thirrje Kroacisë të garantojë qasje në territorin e saj dhe në procedurat e azilit për personat që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.

Ndërkaq, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Bosnje dhe Hercegovinë ka konfirmuar se është në dijeni të rastit.

Njërit prej personave të prekur i është ofruar ndihmë psikologjike, informacion dhe mbështetje për të pasur qasje në mbrojtje.

IOM-i ka sqaruar se nuk e ka verifikuar në mënyrë të pavarur se si janë shkaktuar lëndimet, por ka theksuar se çdo pretendim për dhunë ose keqtrajtim të migrantëve duhet të hetohet nga autoritetet kompetente.

Kroacia i mohon akuzat

Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë i ka hedhur poshtë pretendimet për dhunë ndaj migrantëve.

Ministri i Brendshëm, Davor Bozhinoviq, ka deklaruar se policia kroate ishte informuar për rastin përmes raportimeve në media dhe më pas kishte kryer verifikime, por nuk kishte gjetur informacione që do t’i konfirmonin akuzat.

Ai ka theksuar se autoritetet kroate nuk kishin marrë asnjë informacion zyrtar nga institucionet përkatëse të Bosnje dhe Hercegovinës.

Sipas Bozhinoviqit, policia kroate ndalon mesatarisht deri në 90 persona në ditë që tentojnë të hyjnë ilegalisht në Kroaci, duke vepruar në përputhje me rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ai ka pretenduar gjithashtu se në territorin e Bosnje dhe Hercegovinës ka dhunë mes grupeve të migrantëve, por se rrethana të tilla nuk mund të lidhen automatikisht me rastin konkret.

Ndërkohë, Ministria e Sigurisë e Bosnje dhe Hercegovinës, Shërbimi për Çështjet e të Huajve dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kantonit të Una-Sanës nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me këtë rast.

A ka mbikëqyrje të pavarur të veprimeve të Kroacisë në kufi?

Rasti i fundit ndodhi pasi përfundoi mandati i mekanizmit të pavarur kroat për mbikëqyrjen e kufirit, ndërsa një mekanizëm i ri ende nuk është vënë në funksion.

Ky mekanizëm ishte krijuar pas publikimit, në vitin 2021, të videove nga mediat ndërkombëtare, ku shiheshin persona të maskuar duke rrahur migrantë dhe duke i kthyer me forcë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Tamara Opaçiq, gazetare e së përditshmes së Zagrebit “Novosti”, e cila prej vitesh përcjell çështjet e migrimit, azilit dhe të drejtave të njeriut, e konsideron problematike deklaratën e ministrit të Brendshëm kroat për kthimin e përditshëm të migrantëve.

Ajo thotë se një person që kërkon azil nuk mund të kthehet menjëherë në një shtet tjetër, pavarësisht nëse e ka kaluar kufirin në një pikë zyrtare apo përmes kufirit të gjelbër.

“Duhet të kalojë nëpër procedurën e përcaktuar me ligj, përfshirë procesin e verifikimit dhe procedurën e shqyrtimit të kërkesës për mbrojtje ndërkombëtare”, ka deklaruar Opaçiq.

Ajo kritikon edhe faktin se pretendimet për rastin e fundit të dhunës vihen në dyshim ende pa u hetuar.

Për të ilustruar mënyrën se si autoritetet kroate kanë trajtuar akuza të ngjashme në të kaluarën, Opaçiq ka përmendur rastin e Madina Hussinyt, një vajzë gjashtëvjeçare nga Afganistani, e cila humbi jetën në vitin 2017.

“Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë mohoi për vite me radhë përgjegjësinë e Kroacisë për këtë rast, ndërsa kundërshtimet vazhduan edhe pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë ajo.

Që nga viti 2017, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka nxjerrë tri aktgjykime lidhur me trajtimin e migrantëve nga Kroacia.

Në rastin e Madina Hussinyt, Gjykata konstatoi se Kroacia kishte shkelur disa dispozita të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas Opaçiqit, gjatë gjashtë vjetëve të fundit janë paraqitur të paktën 24 ankesa për dhunë të dyshuar policore ndaj migrantëve, por asnjëra nuk ka përfunduar me aktgjykim dënues.

Ajo është shprehur e shqetësuar edhe për reagimet e institucioneve evropiane, të cilat sipas saj janë rralluar dukshëm vitet e fundit.

Organizatat e tjera dokumentojnë raste të ngjashme

Një person transgjinor, i moshës 18 deri në 25 vjeç, ka dëshmuar se policia kroate e kishte kthyer me forcë në Bosnje dhe Hercegovinë në gusht të vitit 2026, ndonëse kishte kërkuar azil.

Sipas dëshmisë së tij, policët ia kishin kontrolluar dokumentet dhe sendet personale, e kishin transportuar me një automjet me grila dhe më pas e kishin lënë në një zonë pyjore, duke e paralajmëruar të mos përpiqej të hynte sërish në Bashkimin Evropian.

Rasti është dokumentuar nga Rrjeti për Monitorimin e Dhunës në Kufij (BVMN), i cili prej vitesh mbledh dëshmi të migrantëve.

Në raportin për gushtin e vitit 2026, organizata ka theksuar se kthimet e dhunshme vazhdojnë të raportohen edhe pas hyrjes në fuqi, në qershor, të Paktit të ri të BE-së për Migracionin dhe Azilin.

Kjo reformë parasheh, ndër të tjera, mekanizma të pavarur për mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave themelore në kufij.

Megjithatë, sipas BVMN-së, migrantët vazhdojnë të raportojnë se kthehen nga Kroacia në Bosnje dhe Hercegovinë pa iu dhënë mundësia të kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.