Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë ndaluar katër persona të dyshuar lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në mesin e të ndaluarve janë edhe vjehrra dhe kunati i viktimës, të cilët dyshohen për përfshirje në këtë rast.

Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë, katër personat janë ndaluar për 48 orë, pas veprimeve intensive hetimore të zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.

Reklamë

Dy nga të dyshuarit, me inicialet N. S. dhe D. S., dyshohen për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”, ndërsa dy të tjerët, M. P. dhe G. B., dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

“Gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore, janë siguruar prova materiale të cilat mbështesin dyshimin e bazuar se personat e lartcekur kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohen”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Prokuroria ka bërë të ditur se është nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit.

Ndërkaq, brenda afatit ligjor, prokurori i çështjes do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026, rreth orës 21:00, në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, vetëm pak minuta pasi ishte kthyer aty e shoqëruar nga Policia e Kosovës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili, sipas Prokurorisë, e kishte goditur me një mjet të fortë. Ai u arrestua më 27 tetor në Deçan, pasi ishte shpallur në kërkim.

Reklamë

Vrasja ndodhi në ditën kur Arlinda kishte raportuar sërish dhunë në familje. Atë mbrëmje, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa Arlinda kishte refuzuar të shkonte në strehimore dhe kishte kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej edhe djali i saj. Para vrasjes, ajo kishte kërkuar disa herë ndihmë nga institucionet dhe kishte pasur urdhër mbrojtjeje.

Rasti nxiti reagime të shumta publike dhe hetime për mënyrën se si institucionet kishin trajtuar kërkesat e saj për mbrojtje.