Lëndimi i një ushtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë ka nxitur debat në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Deputetët e opozitës kërkuan që Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja të japin sqarime për incidentin e 23 nëntorit, ndërsa diskutimet u përqendruan edhe te mundësia e problemeve me municionin dhe kontrollin e cilësisë së tij.

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, propozoi që Komisioni t’i drejtohet me shkrim ministrit të Mbrojtjes, duke kërkuar auditim dhe hetim të plotë për incidentet e publikuara, përfshirë edhe mënyrën e blerjes, kontrollit dhe lejimit për përdorim të municionit.

Reklamë

“Mendoj që është me rëndësi me pa komisioni, mendoj që na duhet me i ba një kërkesë Ministrit të Mbrojtjes, në lidhje me incidentet e publikuara tashmë, të ushtarëve të FSK-së”, tha Ramadani.

Ai sqaroi më pas se qëllimi i propozimit të tij ishte të kërkoheshin informata nëse kontrollet ndaj municionit dhe pajisjeve kryhen rregullisht, duke theksuar se nuk duhet të pritet që të ndodhë një tragjedi për të ndërmarrë veprime.

Kryetari i Komisionit, Mefail Bajqinovci, tha se lëndimet gjatë trajnimeve mund të ndodhin, duke iu referuar edhe takimit që Komisioni kishte zhvilluar me komandantin e FSK-së dhe ministrin e Mbrojtjes.

Megjithatë, ai u shpreh i gatshëm që për rastin të kërkohen sqarime nga institucionet përgjegjëse.

“Ne këtu si komision mund të interesohemi dhe të pyesim ministrin e Mbrojtjes për këtë çështje, por edhe komandantin e FSK-së”, tha Bajqinovci.

Reklamë

Nga ana tjetër, deputeti i Vetëvendosjes, Sali Zyba, kundërshtoi atë që e konsideroi si përcaktim të veprimeve që duhet të ndërmarrë Ministria e Mbrojtjes, duke thënë se Komisioni mund të kërkojë informacione, por jo t’i udhëzojë institucionet se si të veprojnë.

“Ne mundemi me ba pyetje Ministrisë, por jo me tendenca se çfarë me ba ministria”, tha Zyba.

Deputeti i PDK-së, Rrahman Rama, vlerësoi se institucionet duhet të japin sqarime për incidentet, por theksoi se kontrolli dhe mirëmbajtja e municionit duhet të trajtohen përmes procedurave standarde operative dhe mekanizmave të brendshëm të FSK-së.

Ai kërkoi që ekspertët të vlerësojnë gjendjen dhe kushtet në të cilat mirëmbahet municioni, ndërsa Komisioni, sipas tij, duhet të marrë informacion nga Ministria dhe FSK-ja.

Reklamë

Edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e konsideroi të arsyeshme kërkesën për sqarime, duke theksuar se përsëritja e incidenteve është shqetësuese.

“Mos e merrni çdo kërkesë tonën si tendencioze në këtë komision. E shoh shumë të arsyeshme, janë çështje që ndodhin, por kur çështjet përsëriten, është shqetësim për ne”, tha Musliu.

Zyba, në një ndërhyrje tjetër, përsëriti se Komisioni duhet të kërkojë informata për rastet, por të mos ndërhyjë në procedurat e brendshme të institucioneve të sigurisë.

Në fund të diskutimeve, Bajqinovci tentoi të lexojë njoftimin që FSK-ja kishte publikuar lidhur me rastin. Por deputetët e opozitës kërkuan që njoftimi të mos lexohej, me arsyetimin se ai tashmë ishte publik dhe se Komisioni duhet të marrë sqarime të drejtpërdrejta nga Ministria e Mbrojtjes.

Reklamë

Sipas njoftimit të FSK-së, një pjesëtar i kësaj force është lënduar më 23 nëntor 2026 gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë. Gjendja e tij shëndetësore është stabile.