Në mediat e Kosovës, sot bëri bujë lajmi se një serb i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli partia e parë në zgjedhjet e 6 tetorit.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar vet serbi Bojan Bozoviq, në dy fotografi të publikuara në Facebook. Në njërën nga fotografitë e publikuara sot, shihet logoja e Vetëvendosjes, teksa ka shkruar: Unë mendoj se është e qartë, por ai që është përgjegjës do ta konfirmojë zyrtarisht atë.
Por, kush është serbi Bojan Bozhoviq?
Në bazë të disa kërkimeve në internet del se ai është ish-gazetar i agjencisë së lajmeve “Tanjug”.
Ish-gazetari u bë i njohur vitin e kaluar kur kërcënoi se do të dalë tek rrethi kryesor në Prishtinë dhe do t’ia marrë jetën vetes. Këtë veprim, Bozhoviq, atë kohë tha se e ka marrë pas ndërprerjes së kontratës së punës nga Telekomi i Kosovës, ku po punonte qe 7 muaj, siç ka thënë me kontratë mbi vepër, shkruan Reporteri.net.
Mediat serbe për Bozhoviq shkruajnë se ai kishte qenë i paraburgosur në Serbi, nën dyshimin se ka bërë disa video pornografike me persona të mitur në internet.
Megjithatë vetë Bozhoviq kishte mohuar këto akuza duke potencuar se kjo i është montuar nga BIA serbe dhe se asnjëherë nuk ka qenë i angazhuar në pornografi.
Këto deklarata Bozhoviq i kishte bërë në mediat serbe, duke potencuar se ndodhet në Kosovë, por se nuk është në arrati.
“Në tetor të viti 2014, unë u thashë mediave shqiptare që nga viti 2011 deri në 2014 kam punuar për sigurinë kombëtare të Kosovës. Kjo është arsyeja pse shteti i Serbisë më konsideron tradhtar dhe kjo është arsyeja pse unë jam i persekutuar”, kishte deklaruar ai.
Bozhoviq kishte pretenduar se është rrahur shumë nga policia serbe. Ai veten e kishte deklaruar shtetas të Kosovës, kurse autoriteteve të atjeshme ua ka shfaqur një dokument të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Bozhovic në vitin 2017, braktisi LDK-në dhe iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës, nga e cila siç duket ka dhënë dorëheqje për t’iu bashkuar partisë së Albin Kurtit.
Ai jeton në Zubin Potok. /Reporteri.net