Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme, ka kërkuar ndihmë për identifikimin dhe kapjen e dy të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Me autorizim të Prokurorisë Speciale, policia ka publikuar edhe fotografitë e dy të dyshuarve, por që identiteti i tyre nuk është bërë i ditur.
Në fotografitë e të dyshuarve, të publikuara nga policia, thuhet se ata të dy janë parë në rrugën “Lola Ribar” në Mitrovicën veriore.
Policia thekson se kushdo që ka informacion për të dyshuarit, të lajmërojë në numrin e telefonit, duke theksuar kështu se ky numër është konfidencial.
E në ndihmë policisë së Kosovës i ka dalë vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili ka dhënë informacione për identitetin e dy të dyshuarve që po kërkohen nga policia e Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se dy të rinjtë që po kërkohen nga Policia e Kosovës, janë në të vërtetë studentë në Mitrovicë.
Ai shtoi se ata tashmë janë marrë në pyetje, se janë kontaktuar nga autoritetet serbe, dhe se janë shprehur të gatshëm për testin e poligrafit.
Sipas Vuçiq bëhet fjalë për studentët Ivan Dimitrijeviq dhe Milos Radosavljeviq.
Ivan Dimitrijeviq ka lindur në Prokuple, por është me vendbanim në Kurshumli, dhe është student në nivelin master në Mitrovicën e Veriut.
Ndërkaq, Milos Radosavljeviq, po ashtu nga Prokuplje dhe banor i Kurshumlisë është student në Fakultetin Teknik në Mitrovicë, dhe herë pas here qëndron në konviktin studentor në atë pjesë.
Oliver Ivanoviq, ish-ministër dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës, ka udhëhequr SDP-në, ndërsa u vra më 16 janar të vitit 2018. /Reporteri.net