×
  • Lajme
  • Lajme

    NISMA e AKR: Nuk ka rrezik, vazhdojmë të mbetemi mbi prag

    Reporteri
    23 Nëntor 2019 | 11:36

    Nisma Socialdemokrate bashkë me partnerët e koalicionit AKR – PD i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kontestuar vendimin e Supremes për votat e diasporës. Po nga ky koalicion bëjnë të ditur për “Zërin” se Nisma – AKR vazhdon të jetë mbi pragun dhe do të jetë pjesë e Kuvendit, mirëpo Kushtetueses iu drejtuan për çështje parimore.


    Kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, ka thënë për “Zërin” se ky subjekt politik do të jetë pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit. Sipas tij, Nisma tani nuk ka asnjë rrezik të mos e kalojë pragun.

    “E vërteta është që Nisma kalon pragun. Deri më tani janë numëruar mbi 70% e vendvotimeve. Ne jemi stabilë dhe nuk kemi asnjë rrezikshmëri, pavarësisht vullnetit dhe dëshirës së atyre që s’duan ta shohin Nismën në Kuvend”, ka thënë ish-deputeti Hoti.

    Ndërkohë i pyetur se a ka gjasa të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme, Hoti ka thënë se do të presin certifikimin. “Ne do të presim certifikimin e tejzgjatur zgjedhor dhe pastaj do të shohim”, tha ai.

    Kurse sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, tha për gazetën “Zëri” se koalicioni Nisma – AKR – PD ka kaluar pragun, mirëpo ankesa në Gjykatën Kushtetuese u bë për çështje parimore.

    “Rezultati nuk lëviz, por për çështje parimore është bërë kjo ankesë. Ajo nuk u bë për shkak të pragut, sepse pragu është kaluar, por është bërë për çështje parimore, sepse ato vota që nuk i plotësojnë konditat juridike, pa marrë parasysh kujt i përkasin, nuk duhet të numërohen”. Ai tha se po të mos numërohen votat e ardhura me vonesë nga diaspora koalicioni Nisma – AKR – PD mund të ketë një përqindje më të madhe të votave, por ato nuk e ndërrojnë shumë rezultatin. “Nëse anulohen mund të dalë një përqindje ndoshta pak më e madhe, por nuk luajnë shumë rol në rezultat”, ka përfunduar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!