×
  • Lajme
  • Lajme

    Emërimet në AKI: A u pajtuan mes vete Thaçi e Haradinaj?

    Reporteri
    25 Nëntor 2019 | 20:29

    Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërendim me presidentin, Hashim Thaçi, ka emëruar, Kreshnik Gashin, në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë si dhe Burim Ramadanin si inspektor të të njëjtit institucion.


    Por prej kur ka filluar Haradinaj të bashkërendohet me vendime shtetërore, me të cilin thoshte se nuk ka asnjë lloj komunikimi prej muajsh?

    Pas përplasjeve publike që kishin dy krerët shtetërorë dhe akuzat lidhur me idenë e ndryshimit të kufijve, Haradinaj vetëm pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit e pranoi se ai nuk ka folur për një kohë të gjatë me Thacin.

    “Ka një kohë që kemi raporte të ftohura. Nuk kemi komuniki. Është një kohë bukur e gjatë që s’na ka rënë me komuniku me Presidentin Thaçi, me pas biseda e takime”, kishte deklaruar Haradinaj në një intervistë të tij. .

    Haradinaj vitin e fundit e ka akuzuar presidentin Thaçi se përbën treshen bashkë me Aleksandër Vuciqin dhe kryeministrin Edi Rama, që kanë ideuar dhe sponsorizuar planin e ndarjes së Kosovës, shkruan Express.

    Madje, thoshte se të tre donin ta ndanin Kosovën në këmbim të 10 miliardë eurove.

    Rama kishte paralajmëruar padi ndaj kësaj deklarate të Haradinajt.

    Mospajtime kishte edhe në kohën kur PDK dhe AAK ishin pjesë e koalicionit qeverisës PAN. Haradinaj e akuzon Thaçin se po punonte për largimin e taksës së vendosur nga ai.

    Raportet e presidentit aktuale dhe kryeministrit në dorëheqje dukej se janë në përmirësim e sipër kur ata morën pjesë në ndërrimin e komandës së KFOR’it italian.

    Haradinaj arriti i fundit nga liderët në sallë. Ai e përshëndëti vetëm Thacin dhe u ulë në vend të tij. Aty prezent ishte edhe Albin Kurti, që pritet të zgjedhet kryeministër, por atë Haradinaj nuk e përshëndeti.

    Komunikimi i presidentit me kryeministrin në një ngjarje zyrtare mund të jetë diçka krejt normale, por Thaci e Haradinajn së fundmi janë komentuar pikërisht për këtë. Ka pasur disa ngjarje në të cilat krerët shtetërorë kanë marrë pjesë së bashku por nuk e kanë përshëndetur njëri – tjetrin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!