Pas grupeve të kërkim shpëtimit, vlerësimit të banesave dhe ekspertëve për nxjerrjen e fajtorëve, kryeministri Edi Rama u shpreh sot se ka ftuar edhe arkitektë të huaj për rindërtimin e banesave që janë shembur nga tërmeti.
“Kryetari i Komitetit Ahmetaj është përgjegjës për të sjellë një rend dite dhe për të informuar Komitetin. Nuk do të doja të fusnim hundët në punët e tyre (shoqatat), por të arrijmë që fondin e buxhetit dhe të qytetarëve. Ajo që ne duam të imponojmë është që të bëjmë maksimumin mos të ketë veprime sporadike. Mua nuk më pëlqen ideja që në këtë situatë të cohet njëri dhe niset me zemër të mirë dhe bën një shtëpi, pa qenë paraprakisht i dakordësuar mbi një plan dhe disa standarde. Në mbledhjen e ardhshme do të kemi shumë informacion. Kemi ftuar edhe arkitektë të huaj për të krijuar një masë projektesh mbi disa standarde. Në këto shtëpi të rrënuara duhet të çojmë një standard të ri për jetën e re që do të nisë” tha ai.
Kreu i qeverisë më tej tha se për ata që shtëpinë e shembur nga tërmeti nuk e kanë pasur në tokën e tyre do të shikohet një tjetër opsion për zhvendosjen e tyre.
“Ka vende ku rindërtimi po aty është gjëja më normale, por ka vende ku prishja aty dhe rindërtimi në një vend tjetër është oportune. Apo ka familje që janë në fshat, dy kategori; që kanë tokën e tyre, bagëtinë dhe prodhimin dhe nuk ikën dhe je i detyruar të ndërtosh atje. Ka të tjerë që nuk e kanë tokën e tyre, dhe si mund të rindërtojmë atje, kur nuk e kanë tokën e tyre?! Mund të ofrojmë një zgjidhje për të ardhur pranë qytetit për të rindërtuar jetën e re” tha Rama.