Edhe pse tërmeti u shkatërroi gjithçka që kishin dhe sendet e tyre me vlerë u kanë mbetur brenda mureve të shkatërruara, banorët e Durrësit në lagjen 17 shprehen të të irrituar se askush nuk ka shkuar për t’i akomoduar apo për të bërë vlersimet e dëmeve.
“Na gënjejnë, jo do vijmë sot, jo do vijmë nesër, jo do vijmë pasnesër”.
“Ne e dimë se çfarë ka ndodhur, por nuk dimë se çfarë do ndodhë”.
“Kemi marrë emergjencat civile, zjarrfikëset nuk na janë përgjigjur, nuk kanë ardhur të na i hapin derën se kishim ngelur brenda.Kemi shkuar vetë tek njësia bashkiake për të kërkuar zgjidhje. Çfarë do ndodhë me pallatin, çfarë do bëhët. Është një gjendje katastrofë dhe nuk po vijnë ta shohin”.
“ Kemi pesë ditë që presim nga mëngjesi deri në darkë. Nuk kemi asgjë, as me çfarë t’i ndërrojmë fëmijët, as një batanije me fjet. Vemë ku të mundemi tek të afërmit”.
“Nuk ka ardhur asnjë njeri, nuk është afruar asnjë njeri këtu. Jeni ju të parët që keni ardhur”.
Këto janë disa nga deklarata e banorëve që kanë ngelur në qiell të hapur.
Për kujdestarin e pallatit nuk është e paarsyeshme që prej 5 ditësh askush nuk ka shkuar për të parë gjendjen e tyre.
“Të shkosh tek bizneset më plazh përpara kokave të njerëzve këtu mua nuk më duket e arsyeshme”, shprehet kujdestari i pallatit.
Të njëjtin problem e kishin dhe disa banorët në pallate të tjera në Durrës .
“Kam shkuar tek kryetari, kam shkruar emrat, kam nxit përgjegjësen e pallatit për të çuar letrën, për ta parë një njeri nëse është e banueshme apo e pa banueshme, të paktën të vij të fle unë se unë nuk kam ku të shkoj”.
Por edhe pse në rrezik disa prej banorëve tentuan të futeshin për të marrë çfarë mund t’ju ketë mbetur por hasën në ndalesën e policisë, raporton oranews.
“Të jesh në këtë moshë, të të dënojë kjo fatkeqësi, të të lerë gjithë shpenzimet e jetës aty, do të thotë se kemi dalë pa asnjë send dhe kthehemi për të marrë diçka ndonjë plaçke”.
“Thonë ka plasur edhe vjedhja, me ne nuk flet njeri. Vjen policia thotë dil përjashta. Ne prandaj kemi ardhur të marrim rrobat edhe të ikim se pallati nuk do bëhet as sot as nesër”.
Tërmeti i së martës ka shkaktuar dëme të shumta në qytetin e Durrësit ku veç dëmeve material mori dhe jetë njerëzish.