Mospajtimet rreth ndarjes së pozitave kryesore në udhëheqjen e institucioneve të reja si dhe përplasjet politike nga e kaluara, janë disa nga arsyet që dy partitë që dolën të parat në zgjedhjet e 6 e tetorit të mos finalizojnë marrëveshjen për koalicionin e ri qeverisës, ndonëse ato janë dakorduar 100 për qind për programin qeverisës.
Glauk Konjufca, njeriu i dytë më i votuar në VV, mbrëmë në emisionin Pressing konfirmoi se marrëveshja mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës nuk u arrit pasi LDK-ja kushtëzoi marrëveshjen me postin e Presidentit që do ta zëvendësojë Hashim Thaçin.
Pas deklaratave të Konjufcës u anulua edhe takimi i planifikuar për sot mes dy liderëve të të dy partive Albin Kurti dhe Isa Mustafa, shkruan Reporteri.net.
Mirëpo, kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, njëherësh nënkryetare e kësaj partie, Vjosa Osmani në një intervistë para zgjedhjeve kishte thënë se pozita e presidentit nuk do të bëhet pengesë mes dy partive, ngase sipas saj kjo pozitë nuk do të jetë pjesë e pazareve politike.
“Ka një kohë të gjatë që unë kam insistuar që çështja e zgjedhjes së presidentit të mos jetë pjesë e pazareve politike, patjetër që si parti e parë do të insistojmë dhe gjatë negociatave për koalicion parazgjedhor, gjithnjë kemi insistuar që pozita e presidentit të mos jetë pjesë e ndarjes për koalicion, por, të kemi një lloj marrëveshje paraprake, që të kemi kandidat konsensual. Më e mira do të ishte që të pranohej edhe përtej partive tona, ose e pranueshme, sepse do t’i bënim nder atij institucioni edhe vetë Kosovës, nëse aty vendoset një person që ndikon në vendosjen e spektrit politik. Absolutisht favorizoj një zgjedhje të tillë dhe për të do të insistoj”, kishte deklaruar Vjosa Osmani. /Reporteri.net