Kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosjeve se me anë të një portali po shpërndanë “fake news” rreth Komunës së Podujevës.
Sipas nënkryetarit të LDK-së kjo po bëhet me qellim të dëmtimit të Komunës që ai drejton por edhe të LDK-së, shkruan Reporteri.net.
Ky është postimi i plotë i Agim Veliut:
“Në e epokën e shumësisë së mediave online, një portal lokal në Podujevë, me pronar një këshilltar komunal dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit nacionale nga Lëvizja Vetëvendosje, në vazhdimësi propagandon dhe plason lajme që atakojnë administratën komunale në Podujevë, veçmas ekzekutivin dhe kryetarin e Komunës, por edhe LDK-në.
Ndërsa, sot për të mos u mjaftuar me kaq, ky portal paska plasuar një rrenë të madhe, me gjuhën e mediave ‘fake news’, për kinse përçarjen e madhe në Degën e LDK-së në Podujevë, e që, sipas portalit, “27 kryetarë të nëndegëve na paskan dhënë dorëheqje”.
“Lajmi” i plasuar sot nga ky portal, e të cilin shpejt e konsumuan edhe portale të tjera, madje edhe nga ato që konsiderohen si serioze e të besueshme, nuk është kurrgjë tjetër veç një shpifje dhe rrenë, të cilën nuk do ta besojë askush.
Pavarësisht, se kush është porositësi, e kush sajuesi i kësaj të pavërtete, atyre që dëshirojnë përçarjen dhe destabilizimin e partisë kryesore në Llap, ua bëjmë me dije se LDK në Llap, u ka rezistuar edhe mësymjeve më të forta nga rivalët politikë, prandaj as nuk luhatet e as nuk përçahet, nga lajme që sajohen në kuzhinat anti-LDK.
Dega jonë gjithmonë ka funksionuar e organizuar mirë dhe ka korrur vetëm fitore. Për këto rezultate meritë kryesore ka struktura dhe aktivistët e saj anekënd në Llap.
E tillë do të mbetet gjithmonë.
Prandaj, ftojmë strukturat, anëtarët dhe simpatizantët, të mos të bien pre e lajmeve të rreme, të cilat kanë qëllim që ta dëmtojnë LDK-në.”
/Reporteri.net/