Janë bërë më shumë se një muaj që kur ministrja e re e Bujqësisë në Kosovë, Diana Zhiviq, është vendosur në zyrën e saj.
Që nga dita kur e mori postin e ministres, Zhiviq u paragjykua nga bashkëkombësit e saj.
Megjithatë, tridhjetë e tre vjeçarja, e lindur dhe e rritur në Kosovë, nuk befasohet me kritikat që shkojnë në drejtim të saj. Madje, ajo thotë se partia e Sllobodan Petroviqit, Partia Liberale Serbe (SLS) është mësuar me sulme të tilla.
E, Zhiviq, që drejton njërën ndër dikasteret më të rëndësishme në vend, tregon se i është përveshur punës.
Por, sipas saj, ka pasur disa mangësi gjatë kohës së Nenad Rikallos, pasi ish-ministri nuk ishte aktiv në punë, raporton T7.
Zhiviq ka folur edhe për paraqitjen e saj të parë para Komisionit për Bujqësi, me këtë rast ka thënë se do jetë më transparente në mbledhjet e ardhshme.
Zhiviq është gruaja e dytë ministre në Qeverinë Haradinaj. Por, ajo thotë se kuota e përfaqësimit të grave nuk është e mjaftueshme.
Si shembull, Zhiviq përmend faktin që në pozita të kryetares së komunave, aktualisht nuk është asnjë grua.